Policia e Tiranës ka arrestuar një 19 vjeçar nën akuzën e shkatërrimit të stolave të stadiumit Air Albania në Tiranë. I riu së bashku me disa tifozë të tjerë të shpallur në kërkim, kanë thyer një sërë stolash të stadiumit të ri.
Njoftimin e ka përcjellë policia e kryeqytetit, ndërsa për dëmet e shkaktuara nga tifozët gjatë ndeshjes Tirana-Kukësi, Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka gjobitur klubet për aktet vandale të tifozëve.
Njoftimi i policisë:
Kapet një tjetër person, për shkatërrim të pronës dhe prishje të qetësisë publike.
Shkatërroi stolat e stadiumit “Air Albania” dhe hodhi sende të forta në fushë gjatë ndeshjes Tirana-Kukësi, vihet në pranga 19-vjeçari.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në kushtet e flagrancës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, i shtetasit:
Z., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera nga ana e Policisë ka rezultuar se gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Kukësi, ky shtetas ka thyer stolat e stadiumit dhe ka hedhur sende të forta në fushën e stadiumit “Air Albania”, Tiranë.
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Shkatërrimi pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.