Një nismë qytetare iu është shtuar nga sot spektrit politik të Gjilanit, pas u themelua Grupi Qytetar i Pavarur për Vetëqeverisjen e Gjilanit (GQPVGJ).
Pas aktit themelues, një pjesë e këtij grupimi iu është drejtuar edhe mediave me këtë rast, profesori universitar, Flamur Hyseni ka bërë me dije se ky grupim qytetar do të jetë apartiak sepse edhe Gjilanit i nevojitet një qeverisje apartiake, në shërbim të qytetarëve, për një vetëqeverisje me Komunë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Dhjetëra personalitete të fushave të ndryshme, si anëtarë themelues të Grupit e kanë nënshkruar të shtunën deklaratën themeluese për ta bërë zyrtare këtë nismë qytetare.
Në emër të grupit, pas këtij akti themelues, Flamur Hyseni ka paralajmëruar organizimin e mëtutjeshëm të këtij grupimi në të gjitha segmentet për të qenë të gatshme për zgjedhjet e radhës në komunë duke mos i fshehur ambiciet dhe pretendimet për të fituar mbështetjen qytetare për të qenë pjesë e pushtetit, që do t’iu mundësonte realizimin e filozofisë politike që mëton ky grupim politik që në themel ka angazhimin politik prej prizmit apartiak.
Hyseni ka thënë se qytetarët duan një jetë shoqërore të dinjitetshme, një vetëqeverisje, por se deri më tani kjo nuk iu është ofruar nga subjektet politike, nga degët e partive në Gjilan, që vetëm përfaqësim të qytetarëve nga ata nuk është bërë. Poashtu, Gjilani është anashkaluar edhe nga niveli qendror dhe se për të vetëm gjilanasit nuk kanë vendosur dhe kjo duhet të ndryshojë, transmeton 2LONLINE.com.
Nga struktura përbërëse e atyre që ishin prezentë në aktin e themelimit pati edhe të tillë që u kanë takuar më parë subjekteve të ndryshme politike, kanë qenë pjesë e kuvendit komunal apo e legjislativit, por se e kaluara e tyre individuale, u tha se shihet si vlerë, dhe tani në këtë grupim angazhimi i tyre nuk do të kufizohet nga kornizat partiake.
Përndryshe, Flamur Hyseni në emër të Grupit Qytetar të Pavarur për Vetëqeverisjen e Gjilanit ka bërë me dije se këtij grupimi në ditët në vijim kanë me iu bashkangjitur edhe personalitete të tjera, ekspertë të fushave të ndryshme dhe se do të punohet në hartimin e planit strategjik për funksionimin e mëtutjeshëm dhe poashtu do të jenë në kontakt me qytetarë dhe me media për ta shpërfaqur tutje angazhimin e tyre politik në interes të publikut. /2LONLINE/