Me vendimin e Bordit të Drejtorëve të Rotary International të datës 02 Qershor 2022, është miratuar kërkesa e Klubeve Rotary nga Shqipëria dhe Kosova për të themeluar Distriktin Shqipfolës, dhe është caktuar numri i Distriktit 2485 në Rotary International.
Tani, ky distrikt do të përfaqësohet nga zyrtarët tonë të zgjedhur në të gjitha strukturat udhëheqëse në Rotary International dhe ne do të kemi përfaqësuesin dhe zërin tonë në strukturat më të larta Rotary.
Falënderim i veçantë shkon për miqtë tonë Rotarian, PDG Radu Popescu, Përfaqësues Special i Presidentit të Rotary International për Shqipëri dhe Kosovë, Katerina Kotsali Papadimitriou, Drejtoreshë në Rotary International, Zona 21, Shekhar Mehta, President në Rotary International si dhe Bordit të Drejtorëve të Rotary International në Evanston, SHBA.
Bashkohemi në Rotary për të punuar më shumë. Bashkohemi në Rotary për të shërbyer edhe më mirë. Bashkohemi në Rotary për të mos u ndarë kurrë më.
Konferenca e Distriktit më të ri në Rotary do të mbahet në Prishtinë me datën 10-12 Qershor 2022 dhe ajo ka qëllim të bashkojë Rotarianët dhe liderët në komunitet për të frymëzuar angazhim më të madh në Rotary, për të forcuar marrëdhëniet ekzistuese dhe për të shfaqur ndikimin dhe shtrirjen e Rotary-t në botë. Konferenca, duhet të çmojë arritjet e anëtarëve, klubeve dhe Distriktit në mënyrë që t’u japë atyre një vizion të Rotary-t përtej nivelit të klubit dhe të ofrojë një përvojë të paharrueshme miqësie.
Do festojmë shumë dhe do festojmë bashkë, është festa jonë më e madhe, të cilën e kemi pritur dhe për të cilën kemi punuar gjatë. Urime për të gjithë, të cilët punuan me përkushtim dhe të palodhur për një çështje kaq madhore për Rotary dhe për kombin.
MREKULLIA E QUAJTUR ROTARY
Rotary kjo organizatë e mrekullueshme, me lidership rotativ dhe punë ekipore, dhe me 1200 liderë të zgjedhur në Shqipëri dhe Kosovë të cilët çdo ditë shërbejnë vullnetarisht kombin dhe komunitetin në çdo kënd të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kënaqësi të shohim në kombin tonë, rritjen kaq të shpejtë të anëtarëve të organizatës tonë shërbyese, instalimin e kulturës së komunikimit, të dhënjes dhe vullnetarizmit. Kjo është e paparë, këtë mund t’a bëjë vetëm Rotary, këtë mund t’a bëjmë ne, Rotarianët Shqiptarë.
Liderët e trajnuar për këtë vit Rotary, do të shërbejnë kombin anembanë Shqipërisë dhe Kosovës, nga 01 Korriku 2022 deri më 30 Qershor 2023.
Çdo vit, me 1 Korrik, pas shërbimit një vjeçar, afër 70.000 Kryetar të Klubeve Rotary, Rotarakt dhe Interakt si dhe 550 Guvernator të Distrikteve në mbarë botën dhe vetë Presidenti i Rotary International dorëzojnë detyrën tek pasardhësit e tyre. Kjo ndodhë çdo vit, në të njejtën ditë dhe në mbarë globin. Organizim, motivim dhe përkushtim i paparë që është instaluar dhe ka zënë vend edhe në kombin tonë në Shqipëri dhe në Kosovë. Rotarianët Shqiptarë janë bashkuar në 38 Klube Rotary, 7 Klube Rotarakt dhe 2 Klube Interakt në të gjitha qytetet e mëdha dhe të vogla nga Mitrovica në veri të Kosovës deri tek Gjirokastra në jug të Shqipërisë.
Liderët e rinj janë të mirëseardhur të na bashkohen. Kontaktoni klubin Rotary në qytetin tuaj dhe bashkohuni në mrekullinë e quajtur Rotary.
Me ju në Rotary,
Neshad Asllani
Donator Kryesor në Fondacionin Rotary
Rotary Club Peja – Kryetar Themelues
Kuadër i Këshilltarëve Teknik në Fondacionin Rotary
Rotary Leadership Institute – Kryesues i Divizionit për Kosovë
Asistent i Guvernatorit të Distriktit D-2481