(2LONLINE) – Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në Gjilan është themeluar të premten Asambleja Komunale e Fëmijëve, e cila do të jetë një zë i fuqishëm i mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Në mbledhjen inauguruese të Asamblesë së Fëmijëve, që përbëhet nga përfaqësues të shkollave, janë zgjedhur edhe strukturat drejtuese. Me votim të hapur, fëmijët kanë zgjedhur për kryetar të asamblesë, Festina Kurteshin, për nënkryetarë – Veronika Xhelilin, Leart Mustafën e Demet Gash (komuniteti turk), Endera Sahitin – për sekretare, ndërsa Edi Shabanin – për arkëtar.
Në seancën e parë të asamblesë komunale të fëmijëve, pos fëmijëve, të cilët sot kanë drejtuar institucionet komunale, kanë marrë pjesë edhe drejtori i Arsimit, Nazmi Musa, pastaj Fazli Abdullahu, koordinator i Njësisë për të Drejtat e Njeriut, Liridona Ukshini, zyrtare për nevoja të fëmijëve me nevoja të veçanta në DKA si dhe përfaqësues të organizatave “Save the Children” dhe “Iniciativa 6”.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, duke i përgëzuar fëmijët për ditën e tyre, ka thënë se ju do të jeni zëri i të gjithë fëmijëve në asamblenë komunale, për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e tyre, pa dallim moshe, gjinie, nacionaliteti, race apo besimi fetar.
Kurse Fazli Abdullahu, koordinator i Njësisë për të Drejtat e Njeriut, i ka njoftuar fëmijët me mënyrën si zgjidhet asambleja e rregullt komunale, numrin e anëtarëve, përbërjen e saj si dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e këtij organi të qeverisjes lokale, i cili merr vendime që kanë rëndësi për qytetarët dhe mirëqenien e tyre.
Njësia për të Drejtat e Njeriut ka përbrenda saj edh zyrtaren për të drejtat e fëmijëve, që monitoron respektimin e të drejtave të fëmijëve në institucionet komunale. /2L ONLINE/