Ndeshja e 27-të kampionale FC Drita – KF Drenica, luhet të dielën në ora 15:00, e kryetrajneri i Dritës, Arsim Thaqi thotë se pas dy javë pauzë, Drita do të synojë tri pikë të reja për vazhdimësinë e kampionatit.
“Kemi pas dy javë kohë për përgatitje, kemi punua me lojtarë dhe besoj janë të gatshëm. Më gëzon fakti që kthehet Simonovski dhe besoj do ta marrë formën në vazhdimësi. Ndoshta në disa ndeshje fati nuk ka qenë në anën tonë, por realisht duhet të reflektojmë që të kemi një stabilitet sa i përket fitoreve”, ka thënë kryetrajneri Thaqi.
Ai shtoi se gjatë dy javëve edhe lojtarët kanë pas qetësi në aspektin emocional e psikologjik dhe janë të gatshëm për ndeshjen me Drenicën.
“Drenica ka një lojë të bukur për sy, kontrollin e topit dhe do të kërkojnë rezultatin sa më pozitiv. Shpresoj të fitojmë nga kjo ndeshje, dhe me intensitet e ritëm të fitoreve të na mbajnë aty ku jemi deri në fund”, ka thënë trajneri Thaqi.
Trajneri Thaqi foli për ecurinë kampionale, duke kërkuar që nga kjo ndeshje të vazhdohet me intensitet pozitiv.
“Ajo që unë gjithmonë kam insistuar është te pjesa e sulmit dhe në këto dy javë kemi marrë masat sa i përket ofensivës dhe defensivës. Shpresoj që tani edhe me Simonovskin të jemi më konkret në realizim të golave. I kemi shikuar ndeshjet e fundit të kundërshtarit, por pastaj varet në ndeshje si shkojnë gjërat. Varet prej situatave që krijohen dhe shpresoj që nesër të jemi në situatë që të shënojmë dhe te fitojmë. Do te kemi durimin dhe të shikojmë momentin për të realizuar” ka thënë trajneri i Dritës, Arsim Thaqi.
Në këtë ndeshje do të mungojnë Hamdi Namani dhe Ilir Blakçori për shkak të kartonëve, ndërsa rikthehet Marko Simonovski. /2LONLINE/