Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Togos, Robert Dussey, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin dypalësh dhe për mundësinë e avancimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Kryeministri Thaçi ka shprehur angazhimin e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe për ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike, ekonomike dhe kulturore me të gjitha shtetet në botë, duke respektuar diversitetet dhe interesat e të gjithëve.
Me këtë rast Kryeministri Thaçi shprehu falënderimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për njohjen e Kosovës nga Togo dhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy shteteve respektive.
Kosova është shteti më i ri në Evropë, por është duke e dëshmuar se di të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Evropës Juglindore – theksoi kryeministri Thaçi .
Nga ana e tij ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, falënderoi kryeministrin Thaçi për pritjen dhe theksoi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Togos me Kosovën, si dhe mundësinë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.