Kosova po i vuan sot pasojat e një politike servile të djeshme dhe kjo është pa që moti, po dëshmohet sot, dhe ka me u vërtetua nesër. Është budallallëk me besua se bota demokratike është gjithmonë në anën e së vërtetës, në anën e atyre popujve që kanë të drejtë.
Shkruan: Ardian Azemi
Sikur kishim besuar se dashuria e fuqive të mëdha për Kosovën, për popullin shqiptar, na i zgjidhë vetvetiu problemet e hapura me Serbinë.
Shumë herë, për vite me radhë e pandërprerë, kemi thënë se pranimi me shkua në dialog me Serbinë pa kushte, ka me i kushtua Kosovës, dhe ja ku jemi sot.
Gati një dekadë dialog, procesi në pikën zero. Kosova kësisoj ka shkua në dialog me Serbinë për të diskutuar për Kosovën, jo edhe për Serbinë.
Është naivitet me besua se në dialog mes dy vendeve që kanë luftuar mes vete, me probleme të hapura, e përfundon pa kompromise. Ne kemi dështuar ti tregojmë botës se kompromisi më i madh që ne kemi bërë në këtë proces, është shkuarja në dialog pa kushte. Imagjinoni ku është sot Kosova.
Pas dy dekadash e diskuton temën e gjenocidit, të viktimave, shkatërrimeve, të zhdukurve, dhe përdhunimeve. A nuk ish dashtë që kjo të bëhej para tetëmbëdhjetë vitesh, në mënyrë që sot të kishim krejt muhabete tjera edhe me botën edhe me Serbinë?!
Lufta për pushtet dhe interesat individuale dhe grupore kanë bërë që këto tema të mbesin për një kohë tjetër, për të mos thënë në harresë. Paaftësia jonë për ta paraqitë para botës të vërtetën, i ka krijuar terren të përshtatshëm Serbisë.
Kosova nuk ka pas nevojë me e dëshmua të vërtetën sepse bota është deti në detaje e njohur me atë çfarë ka ndodhur, mirëpo është dashtë me e paraqitë të vërtetën para botës, me e bë temë, me kërkua drejtësi.
Serbia por edhe Bashkimi Evropian, duke e parë një shkapërderdhje të politikës në Kosovë, ka arrit në një pozitë që ti vendos kushte Kosovës për të dialoguar.
Paramendojeni Serbia, e udhëhequr nga njerëz që ishin pjesë e politikës në kohën e gjenocidit në Kosovë, një shtet i cili nuk ka përfillë asnjë marrëveshje të Brukselit, ti jap të drejtë vetës me vë kushte për dialog!
Sinqerisht, është për tu habitur përveç me vetveten, edhe me botën.
Për me kuptua më saktë ku jemi si shtet, shihni komunikimin në distancë që bëjnë liderët shtetëror.
Kryeministri Haradinaj me çdo kusht do që ta bëjë Serbinë dhe BE-në ta kuptojnë se Kosova është shtet dhe në dialog duhet të jemi të barabartë, presidenti Thaçi me çdo kusht do ti imponojë idetë e tij për të cilat as vet ai nuk di ti prezantojë.
Shumë moti e kemi thënë se Serbia kërkon diçka tjetër ndërsa qëllimi i saj është një krijesë e re brenda Kosovës, do me thënë një “Dodik Republikë” brenda Republikës së Kosovës.
Presidenti deklaron se Lugina do ti bashkohet Kosovës mirëpo Kosova nuk preket. Asnjë fëmijë parashkollorë nuk e beson këtë.
Kryeministri Haradinaj ka arrit me i zhveshë përpjekjet e Aleksandër Vuçiqit, Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Baton Haxhiut për një marrëveshje e cila Kosovës ia minon të ardhmen, dhe e bënë të pavlerë edhe luftën, edhe jetët e humbura, edhe e amniston Serbinë për gjenocid.
Samiti i Berlinit është goditje e fuqishme për këto përpjekje, dhe për ta kuptuar këtë, mjafton ta dëgjojmë “zëdhënësin” e këtyre përpjekjeve, Baton Haxhiun i cili deklaron se Gjermani ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës. Një deklaratë me plotë inat dhe frikë ekstreme.
Ramush Haradinaj duhet t’i ftojë në takim veç e veç të gjithë liderët e partive politike, të diskutoj hapur për këto tema dhe t’iu bëhet e qartë liderëve se Kosova po paguan çmim të lartë shkaku i mospajtimeve tona.
Deri në Samitin e Parisit, Kosova duhet të diskutoj, qoftë edhe çdo ditë në mënyrë që në Francë të shkojmë unik, me qëndrime të dakorduara dhe kërkesa të qarta.
Çdo pjesëmarrje e Kosovës në të tilla takime, pa u koordinuar dhe me qëndrime të kundërta, rrezikojmë të dështojmë, dhe përgjegjësia u takon të gjithëve, pozitë dhe opozitë.