Nepotizmi si formë e korrupsionit që dëmton strukturat dhe funksionimin normal të shtetit

Nepotizmi si formë e korrupsionit që dëmton strukturat dhe funksionimin normal të shtetit

Çfarë mund të quajmë apo emërtojmë si nepotizëm?!

Shkruan: Bekim Thaqi

Praktika e emërimit të të afërmve dhe miqve në organizata shtetërore, në pozitat për të cilat të tjerët kualifikohen më mirë, është një ndër definicionet e aplikueshme për nepotizmin. Duhet të themi se nepotizmi në strukturat shtetërore, dallon nga ai në kompanive private, sepse aty mund të jetë edhe i pranueshëm pasi ato zotërohen nga individë që punësojnë njerëz, sipas kritereve që ata vetë i përcaktojnë.

Pse nepotizmi nuk duhet lejuar ne institucione dhe organizata shtetërore?!

Mund të thuhet me siguri se nepotizmi i përhapur në politikë dhe institucione shtetërore , është një formë e korrupsionit, që dobëson qeverinë dhe institucionet e shtetit.

Cilat janë efektet specifike të nepotizmit?!

Nepotizmi në masë të madhe, e rrënon ekuilibrin midis besnikërisë ndaj shtetit dhe besnikërisë ndaj familjes në qeveri dhe institucione shtetërore.

Qëllimi parësor i agjencive publike/institucioneve dhe i zyrtarëve qeveritarë, duhet me qenë forcimi i shtetit dhe institucioneve, duke angazhuar në punë specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme e jo punësimi i të afërmeve, miqve dhe anëtarëve të ngushtë të familjes e cila për fatin e keq tonin shihet si më e dobishme, se sa shërbimi ndaj qytetarëve dhe shtetit.

Mjerisht shumicën e kohës ,me ndonjë përjashtim të vogël, këta të afërm apo miq janë të pakualifikuar, dhe në vend se ti shërbejnë shtetit dhe qytetarëve, ata bëjnë dëm të mëdha pasi nuk i dinë dhe nuk i kryejnë detyrat e tyre.

Me këtë shkaktohet dëm edhe në imazhin e shtetit, pasi shoqëria e sheh këtë dhe humb besimin në institucionet publike, duke mos besuar më se qeveria mund t’i trajtojë njerëzit pa lidhje familjare në mënyrë të drejtë.

Për më tepër, kjo bëhet edhe shkaktar i pakënaqësive tek popullata, si në rastin e Kosovës ku njerëzit zgjedhin të ikin nga vendi, pasi edhe pse me shkolla dhe ekspertiza te çmuara nuk u mundësohet të hyjnë në punët në të cilat aplikojnë, sepse ato zihen nga persona të pakualifikuar me anë të nepotizmit.

Rastet si ato që bëhen publike, dhe ku shihet qartë se ka nepotizëm dhe nuk ndërmerret asgjë kundër kësaj dukurie, e shkatërrojnë shpresën e te rinjve për punësim dhe me këtë shkaktojnë edhe pakënaqësi të ndryshme shoqërore.

Shteti duhet në mënyrë urgjente, me anë të ligjeve te ndryshme dhe me anë të formave praktike të lehtësoje raportimin e këtyre rasteve dhe ti adresojë në gjykata në mënyrë qe të ndërpres ciklet e tillë të nepotizmit, sepse një nepotizëm I nivelit të lartë e vie në pyetje edhe funksionimin e drejtë të shtetit dhe i shndërron institucionet në vende me të drejte trashëgimie për punësim.

/Autori është magjistër i shkencave të sigurisë/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE