(E plotësuar) Kryeministri Hashim Thaçi pohoi në mënyrë të prerë se nuk bëhet fjalë për krijimin e një tribunali ndërkombëtarë jashtë Kosovës, për të gjykuar krimet e supozuara. Sipas tij, bashkësia dhe drejtësia ndërkombëtare janë në Kosovë në formën e EULEX-it. Gjithashtu,Thaçi, potencoi se drejtësia në Kosovë, institucionet e saja të krijuara nga ndërkombëtarët dhe vendorët janë më se të mjaftushme.
Kryeministri Thaçi tha se deklarata e Lunaçek që Kosova nuk i plotëson kushtet për liberalizimin e vizave, ka qenë e gabuar dhe këtë e ka kuptuar edhe ajo dhe është munduar ta përmisojë. Sipas kryeministrit, Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet. ”Unë pres që liberalizimi i vizave të ndodhë këtë vit”, tha Thaçi.
Lidhur me qeverisjen e ardhshme, kryeministri u shpreh i sigurtë që PDK-ja do të fitojë zgjedhjet. Sipas tij, do bëhet një kualicion i fuqishëm me partnerë respektiv.
”Jemi dakorduar me të gjitha partitë që të kemi zgjedhje të koordinuara. Gjatë ditëve të ardhshme do të takohemi për të caktuar datën. Është e rëndësishme që të kemi zgjedhjet e mira në mënyrë që institucionet që dalin të jenë në rregull. Askush nuk e ka monopolin për të caktuar datën. Do të dalim së bashku. Unë respektoj opinionin e shumicës”, tha kryeministri Thaçi, i pyetur për datën e zgjedhjeve.