Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është njoftuar dje nga drejtuesit e lartë të Facebook, me seli në Dublin të Irlandës, për përfshirjen e Kosovës në këtë rrjet global social. Përfshirja e Kosovës në rrjetin më të madh social në botë është bërë për t’u ofruar kosovarëve dhe bizneseve të Kosovës të njëjtat mundësi sikur edhe vendeve të tjera të botës.
Kongresmeni amerikan, Eliot Engel gjithashtu ka luajtur një rol aktiv në avokimin për njohjen më të madhe të Kosovës në internet, si pjesë e Strategjisë për Diplomaci Digjitale të Republikës së Kosovës.
“Jam impresionuar nga rritja e depërtimit të internetit në Kosovë në vitet e fundit dhe jam i lumtur që kam ndihmuar kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e Kosovës në tejkalimin e hendekut digjital të Kosovës dhe pjesës tjetër të botës së zhvilluar,” tha Kongresmeni Engel, anëtar i lartë i Komitetit të Kongresit për Punë të Jashtme, një një komunikatë për Qeverinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në muajt e shkuar ka qenë në kontakt me korporata të ndryshme globale të internetit, theksoi se “Qeveria e Kosovës ka investuar në diplomacinë digjitale, me synim për t’u mundësuar kosovarëve të gëzojnë të njëjtat shërbime dhe produkte si të gjithë qytetarët me qasje në shërbime digjitale”.
“Njohja nga Facebook nënkupton se bizneset kosovare tani mund të prodhojnë fushata vetanake të marketingut, të cilat do të ua mundësojnë atyre të avancojnë në tregun e brendshëm. Jam i lumtur që kam qenë në kontakt me Facebook-un në javët e shkuara dhe jam po ashtu i lumtur që kam marrë konfirmimin për përfshirjen e Kosovës në të gjitha produktet dhe shërbimet e rrjetit numër social numër një botë,” tha kryeministri Thaçi.
Republika e Kosovës ka shtuar përpjekjet e saj në muajt e fundit për të siguruar përfshirjen e kosovarëve në rrjetet dhe shërbimet diverse të internetit në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Diplomaci Digjitale, e cila synon integrimin e Kosovës në rrjetet e komunikimit global. Faqja e internetit www.digitalkosovo.org është lansuar për të mbështetur këtë proces.