Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka vlerësuar lartë procesin zgjedhor të mbajtur dje, duke thënë se në këtë mënyrë vendi ynë ka kaluar testin evropian. Incidentet në veri, kryeministri Thaçi i vlerësoi si të izoluara. Ai tha se pjesëmarrja e qytetarëve në veri në zgjedhje e ka legjitimuar marrëveshjen e këtij viti për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se dje është përmbyllur një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, drejt konsolidimit të shtetit tonë, sovranitetit, dhe institucioneve demokratike e legjitime të Republikës së Kosovës.
“Pra për herë të parë në historikun e saj të pasluftës, Kosova vet organizoi zgjedhjet në gjithë territorin e Kosovës përfshirë këtu edhe katër komunat veriore të Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Thaçi tha se Kosova në këtë mënyrë kaloi testin evropian në organizimin e zgjedhjeve ferr, të lira dhe demokratike. Në lidhje me incidentet në veri, kryeministri Thaçi i quajti ato të izoluara.
“Këto janë incidente të izoluara që nuk kanë peshë vendimtare në procesin e zgjedhjeve. Po ashtu i thërras institucionet e pavarura që t’i trajtojnë këto raste me ligjet e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Shumë e rëndësishme sipas kryeministrit Thaçi, ka qenë pjesëmarrja në qendrat e votimit në veri të vendit, deri në kohën kur ato u mbyllën dhunshëm.
“Ajo që është shumë me rëndësi të potencohet është se pjesëmarrja e qytetarëve deri në ora 17 nga rreth 22% e kanë legjitimuar lidershipin e ri në veri në katër komuna. Mund të them se sikur të kishin mbetur të hapura ato qendra të votimit deri në ora 19 përqindja do të arrinte shumë më lartë”, tha ai.
Thaçi tha se pjesëmarrja e qytetarëve në veri në zgjedhje e ka legjitimuar marrëveshjen e këtij viti për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë.
“Ky është argumenti i fuqishëm dhe legjitimimi i plotë i marrëveshjes së Brukselit më 19 prill të këtij viti” , u shpreh ai.
Kryeministri Thaçi beson dhe shpreson se incidentet e tilla në veri nuk do të përsëriten në balotazh dhe si shtet do të ndërmerren të gjitha masat për ta parandaluar këtë./rtklive.com/