Zyra për informim e Kryeministrisë njoftoi se në takimin e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi, dhe ndihmës/sekretares amerikane në DASH, Victoria Nuland, është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë e rajon, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe për thellimin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-ve.
Republika e Kosovës kaloi me sukses të plotë edhe një test të demokracisë, duke organizuar zgjedhje fer, të lira dhe demokratike, që u mbajtën në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, i tha Thaçi zyrtares së lartë amemrikane.
“Tani, pas përmbylljes së procesit zgjedhor, me përkushtimin më të lartë institucional dhe politik po punojmë për implementimin e rezultatit zgjedhor, duke formuar institucionet e reja demokratike, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në këtë proces besoj se i gjithë spektri politik i Kosovës do të reflektojë seriozitetin dhe pjekurinë e lartë politike”, theksoi kryeministri i Kosovës në detyrë.
Thaçi e njoftoi Nulandin edhe me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për implementimin e reformave për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.
“Në kuadër të këtij angazhimi, do të vazhdojmë në mënyrë të veçantë të fokusohemi në fushën e energjisë, atë të turizmit dhe në fusha tjera që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik të vendit”.
Duke folur për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës e Serbisë, kryeministri në detyrë theksoi se “Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të këtij procesi ka dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për implementimin e marrëveshjes së 19 prillit dhe të gjitha marrëveshjeve tjera sektoriale të arritura mes dy vendeve”.
“Në këtë proces janë arritur rezultate konkrete, por ka edhe ngecje në implementim nga ana e Serbisë, por besoj se me mbështetjen e SHBA-ve dhe të BE-së këto ngecje do të tejkalohen dhe do ta përmbyllim suksesshëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve, si dy vende të pavarura e sovrane”, tha ai.
Thaçi e siguroi ndihmës/sekretaren Victoria Nuland për vazhdimin e dialogut ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë dhe potencoi se me frymën konstruktive të dialogut dhe bashkëpunimit rajonal do të mund të arrihet integrimi i plotë i rajonit në BE dhe në NATO.
Kryeministri në detyrë vlerësoi lartë mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë dhe popullit amerikan për Kosovën në të gjitha periudhat. Në këtë kuadër, ai ritheksoi se “Qeveria e Kosovës është thellësisht e përkushtuar për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të përhershme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.