Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për nder të 28 Nëntorit ka bërë homazhe te shtatorja e Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, te varri i presidentit Ibrahim Rugova, si dhe ka paralajmëruar se do të bëjë homazhe edhe në Prekaz.
Kreu i shtetit ka thënë se ky është një nderim tradicional shtetëror të cilin e bënë për komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për presidentin Rugova, për të gjithë luftëtarët e lirisë, në shenjë nderimi dhe respekti për kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ishim tek busti i komandantit të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti. Tash jemi këtu tek varri i presidentit Rugova, për të nderuar përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi të Kosovës. Gjithashtu, do të jemi edhe në Prekaz dhe mundësisht në të gjitha ambientet, hapësirat dhe përkujtimoret që simbolizojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke dëshmuar gjithmonë dhe respektuar lart dëshmorët e lirisë, heronjtë e Kosovës dhe personalitetet që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë”, u shpreh ai.
Presidenti ka thënë se gjithmonë do të nderojë dhe përkujtojë sakrificën e bërë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
http://www.president-ksgov.net/sq/lajme/presidenti-thaci-ben-homazhe-te-shtatorja-e-zahir-pajazitit-dhe-te-memoriali-ibrahim-rugova