Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po paraqitet shumë aktiv nëpër fushata, por nuk po ndodhë e njëjta kur është fjala edhe tek përgjegjësia e tij karshi Kuvendit.
Që prej 27 qershorit kur Kuvendi ratifikoj marrëveshjen e parë ndërkombëtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri nuk u paraqit në Kuvend për të folur rreth bisedimeve. U takua edhe shumë herë me homologun e tij serb Ivica Daçiq në Bruksel, arritën marrëveshje për telekomin e energjinë, u morën vesh edhe për zgjedhjet lokale, por asnjëherë nuk i njoftoj zyrtarisht deputetët për këto, transmeton KTV.
E kjo i shqetëson shumë dy partitë më të mëdha opozitare LDK-në e Vetëvendosjen. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri thotë se kryeministri ka harruar obligimin e tij karshi Kuvendit, ashtu sikurse e obligon edhe rezoluta. Ndërsa Visar Ymeri i Vetëvendosjes ka thënë se kjo ikje e kryeministrit tregon se përgjegjësia e tij po degradon çdo ditë e më shumë./koha.net/