Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ka përshëndetur aksionin e AKI””së për kthimin e Erionit 8 vjeçar nga Siria.Në një mesazh në Facebook, Thaçi shkruan se tash Erioni do të kthehet në klasë
Mesazhi i plotë:
Erioni u kthye në atdhe, tek nëna e vet!
Në muajin qershor qytetarët e Kosovës kanë qenë shqetësuar nga lajmi se shtetasi Arben Zeka kishte shkuar të luftojë në Siri dhe me vete kishte marrë edhe birin e tij të mitur, Erionin 8 vjeçar. Thirrjet e nënës për t’ia kthyer të birin nga vija e luftës kishin prekur zemrat e çdo qytetari të Kosovës.
Shqetësimin e qytetarëve të Kosovës e ndanë edhe institucionet e Kosovës që u angazhuan për largimin e fëmiut nga rreziku i luftës në sigurinë e prehërit të nënës.
Sot, jemi të lumtur të mësojmë se Agjencia Kosovare e Inteligjencës, pasi është autorizuar të ndërmarrë operacion për kthimin e sigurtë të Erionit, ka përmbushur me sukses këtë mision duke lokalizuar, gjetur dhe duke organizuar kthimin e tij. Tash Erioni do të kthehet në klasën e tretë, së bashku me shokët dhe shoqët e klasës së tij.
Falënderojmë AKI-në për profesionalizmin dhe efikasitetin e dëshmuar në këtë operacion.
Dhe, edhe një herë, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të mos bashkëngjiten në luftërat mashtruese. HTH