Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin komemorativ kushtuar Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Presidenti Thaçi ka thënë se lajmi për vdekjen e bacës Hilmi ishte i dhimbshëm për familjen dhe të gjithë ne.
“Bacën Hilmi e njoha qysh në fillimet e para të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, në pranverë 1996. Më herët, përmes Kadri Veselit e kisha takuar Luanin. Me Luanin dhe Kadriun kalonim kufirin Shqipëri-Kosovë, deri në rënien heroike të Luanit. Gjithmonë nga udhëtimi i gjatë dhe rraskapitës, në dimër dhe verë, me të hyrë në Kosovë, me ne ishte dhe Shkëlzeni, për t’u strehuar tek baca Hilmi dhe për të vazhduar tutje në Jabllanicë. Baca Hilmi gjithmonë tregonte urtësi, maturi dhe vendosmëri të lartë patriotike. Ishte ndër pjesëtarët e bërthamave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithmonë vazhdonte me këshillat e mençura dhe atërore për të gjithë ne, para, gjatë dhe pas luftës. Nuk kishte si të mos ndodhte kështu, sepse Ismail Haradinaj qysh herët ishte ndër udhëheqësit e lëvizjes kombëtare për kauzën e Republikës së Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Duke iu drejtuar familjes Haradinaj, kreu i shtetit ka thënë se ata humbën një bashkëshort, një baba dhe një gjysh të jashtëzakonshëm, kurse ne mbetëm pa një veteran, pa një bashkëluftëtar, pa një njeri me zemër të madhe atdhetare.
Ai theksoi se baca Hilmi ishte një burrë i dëshmuar dhe i sprovuar në ditët më të vështira të Kosovës.
“Baca Hilmi nuk u dorëzua as përballë sfidave jo të lehta edhe në kohën e pasluftës. Ai me dinjitet dhe qetësi përballoi padrejtësitë e burgosjeve të të bijve. Të gjitha goditjet e jetës i përballoi faqebardhë. Ishte njeri me vlera të thella, i urtë, modest. Burrë i Dukagjinit dhe Kosovës”, shtoi presidenti Thaçi.
I pari i vendit theksoi se baca Hilmi vdiq në muajin qershor, kur anembanë Kosovës po shënohet 19 vjetori i çlirimit.
Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi për të ndjerin Hilmi Haradinaj ndau Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.