Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, 25 Korrikun e ka cilësuar si një ditë të bashkimit territorial të Kosovës.Ai thotë se 25 korriku i viti 2011 shënon shuarjen e ëndrrës së Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe se në po këtë datë u zhvillua aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjakë.
Ai ka kujtuar edhe rënien heroike të policit të Kosovës, Enver Zymberi, duke e vlerësuar atë si njeriu që dha jetën e tij për vendosjen e sovraniteti.
Shkrimi i plotë i postuar në Facebook:
Tre vite më parë, më 25 korrik 2011 u zhvillua aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjakë. 25 korriku 2011 shënon shuarjen e ëndrrës së Serbisë për ndarjen e Kosovës. Kjo ditë është ditë e bashkimit territorial të Kosovës. Në këtë operacion fisnik, ra në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, heroi ynë Enver Zymberi. Ky operacion i dha fund status quo-së së mbretërimit të paligjshmërisë e pasigurisë në veri dhe nisi procesin e ri-integrimit të asaj pjese të territorit të Republikës së Kosovës. Enveri u flijua për të vendosur sovranitetin dhe ligjshmërinë në gjithë territorin e Kosovës dhe vepra e tij e lavdishme do të shërbej si simbol frymëzimi për të gjithë ne dhe brezat që do të vijnë. HTH