(2L ONLINE) – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Hashim Thaçi në një takim me intelektualët nga Gjilani, ka prezantuar programin e tij për katër vitet e ardhshme të qeverisjes, “Misioni i ri”, i cili, siç u shpreh ai, është program i zhvillimit ekonomik që synon krijimin e më se 200 mijë vende të reja të punës.
Por, ajo që i ka nxitur edhe të duartrokasin të pranishmit, ka qenë premtimi i Thaçit për ndërtimin e autostradës së veçantë për Gjilanin e cila kalon nëpër Llabjan, Bresalc… për të përfunduar në Konçul, me një gjatësi prej 51 kilometër e që do të kushtojë 500 milion euro.
“Ne kemi dëshmuar se dimë dhe mund të bëjmë autostrada për dallim prej të tjerëve të cilët nuk kanë mundur ta bëjnë as një rreth rrotullim në Prishtinë”, ka thënë lideri i PDK-së Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se programi i tyre katër vjeçar i qeverisjes së ardhme nuk do të jetë program politik por do të jetë program i zhvillimit ekonomik.
“Vendi ynë është shtet i ri, por është shtet i mundësive të mëdha”, ka thënë tutje Thaçi.
Njeriu i parë i PDK-së, ka përkujtuar angazhimet e deritanishme, rrugëtimin e deritanishëm për çlirim, liri, pavarësi e shtet-ndërtim, duke thënë se Kosova sot është një vend i respektuar prej SHBA , BE, NATO-s dhe shteteve tjera euroatlantike.
“Vizioni ynë është që në të ardhmen të jemi pjesë e BE-së dhe NATO-s”, tha ai, i bindur se do ta realizojë këtë premtim.
Ndërkaq duke u ndalur te aktualitetet, Thaçi tha se jemi para një sfide të re e që kërkon një mobilizim të ri, për të zhvilluar vendin, hapur vende të reja pune, për të cilin tha se është mision që do ta kryejnë suksesshëm.
Projekti “Misioni i Ri”, është projekti i shumicës së qytetareve të Kosovës pa dallime politike, ka thënë tutje i pari i PDK-së, andaj i ka ftuar të gjithë të mos i shikojnë librezat partiake por t[i bashkohen këtij misioni për zhvillimin e vendit.
“Për këtë, ne kemi projektin tonë prej 1.5 miliardë euro, që janë mjete tona. Për ti sjellë në Kosovë këto mjete duhet një parlament i fortë”, ka thënë Thaçi, për të shtuar se këto mjete do të jenë në shërbim të bizneseve, përkatësisht të shpirtit ndërmarrës.
Po kështu, Thaçi ka përsëritur premtimin e tij që e ka realizuar, për rritjen e pagave, pastaj ligjin për veteranët e luftës, uljen për 50 për qind të pagesës së semestrit për studentë në Universitete Publike, ndërkaq ai premtoi se prej 1 tetori të këtij viti, të gjithë studentët e Universiteteve Publike do të studiojnë falas.
“Asnjë prind në Kosovë nuk do të hamendet më nëse do ta qojë djalin apo vajzën në shkollë, apo njërin fëmijë apo që të dy, për shkak të obligimeve sepse barrën e shpenzimin për ta e marrim ne”, ka thënë Thaçi.
Ai po ashtu iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës së drejtorit të Spitalit Regjional në Gjilan për financimin e një Qendre për Emergjencë në këtë qytet, duke thënë se kjo është e realizueshme qysh në shtator të këtij viti, pas rishikimit të buxhetit.
Ndryshe, kreu i PDK-së Hashim Thaçi ka bashkëbiseduar shtruar me intelektualë të Gjilanit, të pranishëm në këtë takim, edhe për çështje të tjera që i kanë ngritur ata. /2L ONLINE/