(2L ONLINE) – Eliminimi i klasave të 13-ta ka bërë që testit kombëtar i maturës këtë vit ti nënshtrohen edhe nxënës të klasave të 12-ta, “maturantë të zorit”, të cilët janë ballafaquar me probleme kur iu janë nënshtruar testit kombëtar nga lëndët profesionale sepse janë detyruar t’i nënshtrohen edhe testimit të tyre me pyetje nga lëndë që nuk i kanë pas në program mësimor, pasi do të duhej ato t’i mësonin në klasën e 13-të . Ata janë ndier të habitur e të revoltuar kur i kanë parë pyetjet prej lëndëve që nuk i kanë mësuar dhe me faktin që hartuesit e testit nuk i kanë pas parasysh këto gjëra, gjë që ka bërë që ata të mos jenë të barabartë me nxënësit e klasave të 13-ta.
Këtë së paku e thonë nxënësit e klasave të 12-ta të shkollës së Mesme të Lartë të Arit Pamor në Gjilan të cilët ndihen të dëmtuar nga kjo e padrejtë që iu është bërë, e të drejtë atyre iu jep edhe Zejnullah Zejnullahu pedagog arti nga Gjilani, njëherësh drejtor në këtë shkollë.
Zejnullahu i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se në klasën e 12-të nuk mësohen lëndët “Teori e formës” dhe “Estetikë e artit”, ndërsa në testin kombëtarë të maturës ka pas pyetje nga këto të dyja lëndë që në fakt mësohen në klasën e 13-të, pra janë lëndë që nuk kanë pas rastin t’i mësojnë nxënësit e klasave të 12-ta , pasi nuk kanë qenë me planprogram për këtë gjeneratë, por për ata që janë në të 13-tën.
Ai ka kërkuar që të bëhet një zgjidhje për këtë kategori të dëmtuar nga testi, përkatësisht nga ata që e kanë hartuar testin e nuk e kanë pas parasysh këtë fakt. Po ashtu Zejnullahu ka edhe një sugjerim për poentimin, pasi e konsideron jo të qëlluar që çështja e lëndëve profesionale të jetë e poentuar me 80 pikë dhe e atyre të përgjithshme me 120, sepse për shkolla profesionale nuk do të duhej të ishte kështu. /2L ONLINE/