(2L ONLINE) – Pas vendimit se mbi 46 mijë maturantë që do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të testit të maturës i cili do të mbahet të shtunën më 28 qershor, do të kontrollohen nga pjesëtarë të sigurimit civil të cilët janë kontraktuar nga Ministria e Arsimit një gjë e tillë ka nxitur reagimin e shumë maturantëve , por edhe të rinjve Gjilanas.
Migjen Fazliu është njëri ndër ta që assesi nuk është pajtuar me një vendim të tillë. Ai përmes një shkrimi ka reaguar duke kritikuar vendimin e ministrisë së arsimit për sigurimin e testit nga kompanitë e sigurimit.
Sipas Fazliut , Ministria e arsimit e Kosovës këtë vit e bëri një zbulim të ri që i la pa fjalë të gjithë. “Nxënësit po kopjuakan”.
“Ministria e arsimit për të dëshmuar se me të vërtetë është arsimore, paralajmëroi masa të rrepta dënimi për ata që kanë kopjuar, dhe masa të reja për parandalimin e kësaj dukurie të panjohur për shkollën në përgjithësi. Njëherë u përmend policia, e pastaj u vendos që mbi kokat e nxënësve të qëndrojnë kompanitë e sigurimit, të cilët me punëtorët e tyre të mëdhenj me trup dhe me kokat e rruara, t’i frikësojnë nxënësit, e t’i bëjnë që të mos kopjojnë, dhe me këtë të ikin nga ky krim shumë i rëndë”, shprehet Fazliu.
Ai tutje nuk përjashton mundësinë se nxënësit nuk kanë kopjuar , por i arsyeton me faktin se vetë ministria e arsimit ka një pjesë të fajit sepse plan programi për shkollat e mesme nuk është i duhur, bile ai ka akuzuar ministrinë e Arsimit për këtë dështim.
“A kopjojnë nxënësit ? Natyrisht që kopjojnë. Jo vetëm në Kosovë por në tërë botën. Kopjohet në shkollë fillorë, të mesme e madje edhe në universitet. Fajin kryesor për dështimin e testit të maturës, nuk e kanë nxënësit, por e ka vetë dështimi i sistemit arsimor në Kosovë. Të gjithë ankohen se gjatë gjimnazit, në lëndën e gjuhës shqipe kryesisht mësohet për letërsinë e huaj dhe atë kombëtare, dhe gramatika anashkalohet në masë të madhe. Ndërsa, në test të maturës, shumë prej pyetjeve vijnë nga gramatika,morfologjia e sintaksa. Vetëm ato shkollat të cilat kanë profesor të gjuhës shqipe të përkushtuar arrijnë që sadopak të përgatiten mirë” shprehet Fazliu.
I riu Gjilanas Migjen Fazliu këto dukuri padyshim se i sheh si të këqija, si kopjimi ashtu edhe këto tjerat të cekura më lartë. Por, lufta e këtyre dukurive sipas tij duhet nisur prej së larti. Ai rekomandon që së pari duhet bërë reforma të reja në sistemin arsimor, dhe të bëhen ndryshime në kurrikulum. Më pastaj të largohen prej punës e të gjykohen të gjithë ata që e kanë shpjer sistemin drejt dështimit, dhe krejt në fund të të “luftohen” nxënësit që sipas zbulimit më të ri të Ministrisë së arsimit, po kopjuakan. Ai i bënë apel MASHT-it që Sigurimin dhe policinë, të mos ia dërgojnë maturantëve, por drejtoni tek zyrat e juaja. Aty duhet nisur kontrollimi, aty bëhen ndryshimet sepse aty janë fajet. / Edona JERLIU/.2L ONLINE/