(2L ONLINE) – Kritikat e PDK, përkatësisht të Grupit të saj të Këshilltarëve, për çështjen e arsimit, e kanë ‘prekur” edhe Shaban Tërstenën drejtor shkolle, i cili kishte reaguar në lidhje me këtë, por më pas erdhi kundër reagimi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, që sërish ka bërë që Tërstena të kundërpërgjigjet.
Tërstena ka dërguar në emailin e redaksisë, siç thotë përgjigjen e tij ndaj shkrimit :“Grupi i Këshilltarëve të PDK i kundërpërgjigjet reagimit të Tërstenës, që po e japim më poshtë por se paraprakisht lexoni edhe këta artikuj që kanë të bëjnë me çështjen:
Janë rrok keq e si duket nuk do të ndalen!
Kur flitet për Shaban Tërstenën, PDK-ja duhet të turpërohet dhe të ulë kokën
Grupi i Këshilltarëve të PDK i kundërpërgjigjet reagimit të Tërstenës
Ja tani reagimi i sërishëm i Shaban Tërstenës:
Bashkëqytetarë të ndershëm të Gjilanit,
Specialistët neurovaskular të PDK-së më paskan kërkuar fakte lidhur me shkrimin tim. Ja ku i kanë:
1. Ju grupi i këshilltarëve të PDK-së keni shkruar në kundërpërgjigjen tuaj se:” Nëse të ka dorëzuar ndokush listë me emra të nxënësve që duhet pranuar jashtë kriterit, publikoje dhe thuaje të vërtetën”.
• Kam thënë po dhe e pohoj përsëri , se më është dorëzuar nga kolegu i juaj Bujar Nevzati. Më poshtë e keni kopjen e një liste të tillë me dorëshkrimin e tij dhe e nxjerr nga fletorja e tij personale:
Ja disa nga emrat për të cilët më bëhej presion dhe nga kush :
Qemajl Mustafa për nxënësen Fatime Maliqi,
Izmi Zeka për Xherije Halimi,
Bujar Nevzati për Ardita Basha,
Basri Musmurati për Delvete Shabani,
Abdylatif Latifi për Qëndrim Latifi,
Begzad Sinani për Rinor Dërmaku,
Muhamet Kallaba për Arbër Kryeziu etj.
Ka dhe emra të tjerë të cilët nuk po dua t’i përmend, meqë në një formë kanë pranuar fajësinë dhe nuk dalin si ju të njollosin të tjerët . Po nëse këta nxënës paskan të drejtë të pranohen edhe pa kritere, atëherë përse fëmijët e qytetarëve të tjerë nuk e paskan këtë të drejtë?!
2. Keni shkruar : “Aspak nuk është e vërtetë që keni bërë ankesë në Komisionin Komunal për Ankesa kur ju jeni suspenduar”.
• Nëse unë kam harruar nga skleroza (sipas jush) ja letrat që nuk paskan pësuar sklerozë, këtu i keni kopjen e ankesës të protokolluar dhe kërkesën në zyrën për marrëdhënie me publikun.
Madje edhe jam ftuar në shqyrtimin e ankesës nga komisioni në përbërje prej: Agim Kçiku, Saqip Osmani dhe një femër e komunitetit serb që nuk ia kam siguruar emrin. Por, kurrë nuk m’u kthy përgjigje.
3. Keni shkruar se: “Kur jam zgjedhur drejtor në vitin 2004 LDD nuk ka ekzistuar , sepse është themeluar në vitin 2006”.
• Sa për dijeninë tuaj, unë jam zgjedhur drejtor më 01.02.2003 dhe jo në vitin 2004, por jam rizgjedhur më 05.11.2007, pra pasi ishte themeluar LDD. Ja edhe kontrata me datën e cekur:
4. Keni shkruar: “Ishte po qeverisja e PDK-së e cila vendosi rregull dhe kritere për regjistrimin e nxënësve “.
• Shih numrin e nxënësve të pranuar në klasën X/9 jo më larg se tre muaj pas shkarkimit tim, me arsyetimin se paskam bërë nga 45 nxënës në klasë. Shih ku e keni regjistruar ju nxënësin nr. 46
5. Keni shkruar: ”…pse ai deri më tani ka heshtur…”
• Me gjithë këto fakte, përpara gjithë qytetarëve ju merrni guxim të më thuani se kam probleme me harresë. Madje nga opozita! Po kur ishit në pozitë merre me mend se çfarë do të mund të ndodhte? Po ua them unë: Qengji do t’ia turbullonte ujkut ujin edhe nga ana e poshtme e lumit, madje edhe një vit para lindjes. Tani po me thuani se kam sklerozë, po atëherë? Atëherë do të më shpallnit të çmendur!
Unë edhe tani nuk shkrova për ju por për publikun gjilanas, që duhet ta dijë të vërtetën, pasi ju vazhdimisht po e dezinformoni. Pas gjithë atyre sklerozave “që patë se kisha” , unë prapë lutem për ju që të mos u ket ndodhur ndonjë aksident, me lëndime fatale në tru sa për të pësuar një amnezi të një shkalle kaq të lart.
Dhe, për fund ua them, se sa i përket Shaban Tërstenës ju jeni në baltën e gjallë, sa më tepër që lëvizni aq më shpejt do t’u përpijë balta.
Nëse doni mund të shkruajmë edhe më tej, por sa herë që të shkruaj ju duhet ta ulni kokën edhe më shumë, sa që në një çast s’di a do të mund të ecni më vertikalisht. /2L ONLINE/