Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava ka komentuar shkuarjen kosovarëve në Siri. Ai ka thënë se shkuarja dhe vdekja në Siri nuk i bëhet “dëshmor” e as “shehid” kosovarët. Sipas tij atje po bëhet luftë për interesa personale të palëve të implikuara.
Myftiu Naim Tërnava u ka bërë thirrje të rinjve kosovarë që të qëndrojnë në Kosovë dhe të mos ia mësyjnë asaj rruge pasi që sipas tij ne në Kosovë kemi shumë punë për të bërë se sa të shkojmë e të humbasim jetën në shkretëtira,transmeton RTK.
“Nuk është Siria vend ku ai që vdes merr shkallën e shehidit apo dëshmorit. Kjo pasi që të gjitha palët që janë të përfshira në këtë luftë kanë interesa personale të ndryshme dhe lufta po bëhet mes anëtarëve të vetëm një besimi. Shkuarja në Siri në këtë rast nuk përkon me normat islame andaj ftoj të gjithë ata që gjenden atje të kthehen dhe asnjë nga Kosova të mos ia mësyj shkuarjes në Siri.
Të shtyrë nga motive të ndryshme apo nga motivi se me shkuarjen atje ai do të fitoj kënaqësinë e Zotit le ta dinë se kjo nuk është e vërtet. Unë i ftoj të qëndrojnë në Kosovë pasi që kemi shumë punë për të bërë në vendin tonë e jo të shkojmë të humbasim jetën nëpër shkretëtira të ndryshme në këtë rast në Siri”, ka theksuar Naim Tërnava.