Nga: Valdrin Lluka, Ministri i Zhvillimit Ekonomik
Termocentrali Kosova e Re dhe fondi për zhvillimin e komunitetit
Të dashur qytetarë,
Shtimi i kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike është i domosdoshëm që ne të zhvillohemi si shoqëri. Me kapacitete të reja gjeneruese nënkuptojmë siguri të furnizimit me energji elektrike, kusht i cili është i pamundur të arrihet para se të funksionalizohet Termocentrali “Kosova e Re”. Në të njejtën kohë, termocentrali i ri do të prodhojë energji të mjaftueshme në një periudhë të gjatë që mbërrin tek secili qytetar kudo që jeton në Kosovë, duke përmbushur kështu një të drejtë themelore, atë të furnizimit me energji elektrike.
Me kapacitetet e reja, Termocentralit “Kosova e Re” do t’i japë shtysë veprimtarisë ekonomike, zhvillimit të sistemeve të ngrohjes përveç Prishtinës edhe në qytetet tjera, si dhe do ta përmirësojë cilësinë në arsim për teknologji të avancuar e shëndetësi në tërë Kosovën.
Ndërtimi i një Termocentrali me një teknologji të avancuar, siç është Termocentralit “Kosova e Re” nënkupton edhe zhvillimin e kuadrove profesionale të nivelit të lartë.
Krahas të gjitha përparësive të tjera që i ka ky Projekt, në të kujdes i veçantë i kushtohet komunitetit lokal që do të preket. Andaj, ne si Qeveri e Kosovës vazhdimisht jemi përpjekur që në çdo mundësi të kontribuojmë për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës. Dëshmi për këtë është edhe kujdesi ynë që në projektin më madhor ekonomik dhe energjetik të vendit tonë, TC “Kosova e Re” kemi kërkuar një fond të veçantë për ndihmë dhe zhvillim të komunitetit.
Fondi për Zhvillimin e Komunitetit, arrin një shumë prej 10 milionë Euro dhe do të realizohet brenda 7 viteve prej momentit të fillimit të ndërtimit të Termocentralit. Kjo shumë vjen nga investitori dhe do të shfrytëzohet për nevoja të ndryshme për komunitetin. Kjo shifër e ndarë nga investitori tejkalon buxhetet e komunave që preken drejtpërdrejt.
Mjetet nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit do të mund t’i përfitojnë Komunat respektive, organizatat joqeveritare, iniciativat e qytetarëve, por edhe individët privatë, në bazë të projekteve të tyre që do t’i dërgojnë tek investitori, i cila në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, do t’i përzgjedhë projektet që do të kenë ndikim në zhvillim, përmirësimin e ambientit dhe të gjendjes sociale të komunitetit, por edhe më gjerë.
Në të njejtën kohë, projektet zhvillimore do të ndihmojnë komunitetet të përmirësojnë mjediset e tyre sociale dhe fizike, të rrisin barazinë dhe drejtësinë sociale, të ndërtojë kapacitete dhe të përfshijnë komunitetin në vendimmarrje. Theks të posaqëm do të vihet në mundësitë për krijimin e vendeve të punës, sektor që është identifikuar si prioritar nga komuniteti gjatë fazës fillestare të konsultimit.
Fondi për Zhvillimin e Komunitetit do të disbursohet që nga fillimi i ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re dhe do të vazhdojë për një periudhë 7 vjeçare. Investitori ContourGlobal do të kontribuojë në 6 vitet e para me nga 1.5 milionë Euro në vit, dhe 1 milion Euro në vitin e shtatë. Investitori dhe Qeveria e Kosovës, në një proces konkurrues dhe transparent do t’i zgjedhin së bashku projektet që do të financohen nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit.
Andaj, më lejoni edhe njëherë të them se Projekti TC “Kosova e Re”, krijon bazë shumë të fortë të zhvillimit ekonomik të vendit, të pavarësisë energjetike, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe të performancës së bizneseve që nuk do ta kenë më barrë furnizimin me energji elektrike.
TC “Kosova e Re” është termocentrali i parë që ndërtohet në Kosovë pas 34 vitesh, dhe do të jetë hapi më serioz për t’i dëshmuar komunitetit të biznesit në vend dhe jashtë se Kosova është një vend i sigurt, i qëndrueshëm dhe me plot mundësi të shkëlqyera për të investuar kapitalin e tyre, që njëkohësisht do të ndikonte direkt në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të vendit.
Po ashtu, ky Projekt sjellë përmirësime shumë të mëdha në ruajtjen e ambientit dhe shëndetit të njerëzve. Kurse, veç të tjerave, qytetarët dhe organizatat lokale kanë një mundësi shumë të mirë që projektet e tyre zhvillimore në të mirë të komunitetit t’i realizojnë përmes Fondit për Zhvillimin e Komunitetit të Projektit TC “Kosova e Re”.