Autoritetet policore njoftuan se sot, në Poliqkë, lagjen e quajtur “Bujnovc” afër Fabrikës së Ujit “Kika “pronari i kësaj fabrike A. B., (1989), duke mos e respektuar vendimin e Gjykatës, lëshuar me datë 18.04.2018 nga Gjykata Themelore Gjilan – dega në Kamenicë , me të cilin ishte njoftuar se i është refuzuar propozimi për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, dhe të njëjtit nuk i lejohet ankesa kundër këtij aktvendimi, në shenjë revolte ka bllokuar rrugën me ngarkuesin e tij (Bager), me qëllim që të pengojë zhvillimet e punëve të investitorit të Kompanisë “AIR Energji“ të cilët kishin për të vendosur disa lartëpërques të tensionit të lartë.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se i njëjti ka marrë një bidon me lëndë djegëse ( benzinë ) afërsisht katër litra, duke e derdhur në afërsi të ngarkuesit( bagerit) të tij dhe vetës dhe ka tentuar së paku dy herë me shkrepës që ta ndezë benzinën.
“Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili urdhëron që ndaj të dyshuarit të bëhet kallëzim penal për rastin “Shkaktim i Rrezikut të përgjithshëm dhe Mospërfillja e Gjykatës” dhe se për të njëjtin ka caktuar masën e ndalimin 48 orë”, ka thënë Hashani.
Rasti është duke u hetuar.