Për zgjedhjet lokale dhe parlamentare të paralajmëruara se do të mbahen në prill të këtij viti në Serbi, Partia për Veprim Demokratik ka lëshuar një komunikatë të cilën u drejtohet partive politike shqiptare të dalin me propozimet e tyre.
“Kur dihet se gjatë prillit paralel me zgjedhjet lokale do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, kryetari i PVD – së, Riza Halimi iu drejtua subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës me propozim që deri më 1 shkurt të shqyrtojnë qëndrimin lidhur me këto zgjedhje”, thuhet në kumtesën e PVD-së, transmeton Titulli.com.
Sipas këtij njoftimi PVD vlerëson se në këtë periudhë kohore është e mundur që secili subjekt politik të formuloj qëndrimin lidhur me zgjedhjet parlamentare.
“Në këtë drejtim duhet të analizohen aspektet e mundësive të kufizuara të përfaqësuesve Shqiptarë në parlamentin qendrorë për shkak të mungesës së deritanishme të vullnetit politik të gjithë shumicave parlamentare për t’i integruar në mënyrë adekuate Shqiptarët në organet shtetërore. Mirëpo paralel duhet të shqyrtohet edhe rëndësia e përfaqësuesve Shqiptarë në organin më të lartë legjislativ në periudhën e shqyrtimit të kaptinave 23 e 24 të UE – së me të cilat definohet siguria dhe çështjet e rëndësishme të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave nacionale në Serbi”, citohet në njoftimin e kësaj partie.
Në këtë propozim të kryetarit të PVD-së, Riza Halimi potencohet rëndësia e takimit të përfaqësuesve të subjekteve politike menjëher pas 1 shkurtit, ku do të tentohej të merrej qëndrim i përbashkët lidhur me zgjedhjet parlamentare si dhe do të ishin përpunuar modalitetet e pjesmarrjes eventuale në këto zgjedhje.