Me ftesë të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), sot është mbajtur një takim i Bordit Drejtues, me drejtorët e institucioneve shëndetësore që janë në varësi të SHSKUK-së, Federatën Sindikale të Shëndetësisë, dhe Odën e Mjekëve të Kosovës, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.
Pikë vetme e rendit të ditës, ishte diskutimi në lidhje me fillimin e zbatimit të Ligjit të ri për Paga, i cili ka filluar të zbatohet nga data 1 dhjetor.
Qëndrim i përbashkët i të pranishmëve ishte se ky Ligj është i mirëseardhur për të gjithë profesionistët shëndetësor dhe se presin që në fund të këtij muaji punëtorët shëndetësor të marrin pagat me rritje, thuhet në komunikatë.
Në takim u tha se tendencat për të pezulluar zbatimin e këtij Ligji janë të pa pranueshme dhe kanë për qëllimtë dëmtojnë progresin e arritur në drejtim të përmirësimit të përgjithshëm të mirëqenies së punëtorëve shëndetësor.
Institucionet e pranishme në takim, ju bënë thirrje të gjitha institucioneve vendimmarrëse të jenë të kujdesshme dhe mos ta pengojnë zbatimin e këtij Ligji për interesa të grupeve të ndryshme, thuhet në Komunikatën e SHSKUK-së