(2LONLINE) – /Kundër reagim i Komisionit për shëndetësi të PDK-së, lidhur me reagimin e pjesës së Komitetit për shëndetësi nga radhët e LDK-së/ – Reagimi i anëtarëve të Komitetit për shëndetësi nga radhët e LDK-së, dëshmon se këta ,,përfaqësues” nuk i dinë detyrat e veta dhe përgjegjësitë që ua ngarkon ligji i të qenit anëtar i Komitetit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, prandaj ky reagim është puro politik dhe synon politizimin e shëndetësisë primare, e cila këto vite ka funksionuar si shërbim profesional shëndetësor me qëllim të vetëm mirëqenien shëndetësore të qytetarëve. Reagimi i anëtarëve të komitetit nga LDK është i huqur në disa drejtime:
1) Komitetet janë trupa profesioniste të Asamblesë komunale që i rekomandojnë qëndrimet e veta Asamblesë komunale dhe absolutisht nuk kanë kompetencë përzierjeje në punët profesionale të Institucioneve jopolike komunale.
2) Komitetet rekomandimet e veta i nxjerrin si trup komplet e jo me logjikën selektive partiake dhe tendencioze.Ky fakt dëshmon se dikush është në panikë për shkak të tendencës së politizimit,respektivisht vendosjes politike të personave të caktuar në pozicione profesionale-në kundërshtim flagrant me aktet ligjore!
3) Idea e rekomandimit Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale per monitorim të QKMF-së është absurde ,për faktin se kjo drejtori me të gjitha aktet normative ka obligim monitorimin,ndihmën dhe bashkëpunimin me QKMF-në. Edhe më keq idea themelore e këtyre ,,komitetlinjve” të LDK-së është largimi i drejtorit të QKMF-së,qëndrim ky që rezulton vetëm politik dhe I lidhur ngushtë me dikë që synon postin e drejtorit. Me këtë rast na lejoni të ju kujtojmë:
a) Drejtori I QKMF-së nuk është post politik;është zgjedhur me konkurs dhe u nënshtrohet akteve ligjore në fuqi, prandaj çdo tendencë politizimi godet shëndetësinë,dhe kësaj tendence ka ligje dhe institucione që i dalin përballë.
b) Ju rikujtojmë se drejtori i QKMF-sĕ nuk ka të drejtë ligjore të shpallë konkurs,as të punësojë njerëz siç pretendohet në këtë rast,pa aprovimin e drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale,respektivisht të Kryetarit të Komunës.
c),,Perla” juaj e akuzës pretendon se ka punëtorë me kontratë në vepër. Jua rikujtojmë se Komuna e Gjilanit ka pas një marrëveshje me ,,Caritas”-in ,nëse e keni fjalën për këtë,dhe e cila marrëveshje ka përfunduar më 31 dhjetor 2013, dhe ju e dini se tani ne QKMF në Gjilan,nuk ka asnjë punëtor me kontratë në vepër.
d) Ju akuzoni se në ndonjë punkt në fshatra nuk punohet. Ju rikujtojmë,edhe pse ju e dini që kjo s’ është e vërtetë,sepse e vërteta është se të gjitha punktet e fshatrave punojnë;disa punkte që kanë më pak pacientë nga 5 ditë në javë punojnë vetëm tri ditë,si rezultat i mungesës së stafit,dhe siç ju thamë stafin nuk e përzgjedhë udhëheqësia e QKMF-së.
e) Ju akuzoni se udhëheqësia e QKMF-së ruan vendet e punëtorëve që gjenden jashtë Kosovës. Jua rikujtojmë,edhe pse do të duhej ta dini,se punëtorët kanë të drejtë,me ligjet në fuqi të marrin pushim pa pagesë kur ata paraqesin arsyeshmëri.
f)Absurditeti tjetër i juaji si akuzë flet se,kinse paska punëtorë në lista të pagave pa konkurs. Ju e dini ose do të duhej ta dini se cila është procedura e futjes së një punëtori në listë, ashtu siç e dini se asnjë rast të tillë në QKMF, në Gjilan nuk ka.
g) Banaliteti i akuzave tuaja e arrin kulmin me atë se jo të gjithë punëtorët I kanë nënshkruar listat e pagave. Qesharake-non sens-deri në fund banale si akuzë.
Të gjitha këto dëshmojnë se,,lufta”juaj e filluar ndaj QKMF-së është absurd;fund e krye politike dhe dëshmon kompromiset politike në LDK,respektivisht premtimet politike që kjo parti u ka bërë individëve nĕ fushatën e fundit zgjedhore,prandaj me çdo kusht synoni njollosjen e këtij institucioni shëndetësor për realizimin e premtimeve politike me pozicione që nuk janë politike. Kujdes zotërinj!! Kosova ka institucione qe mbrojnë ligjshmërinë.
Nëse doni t’i verifikoni të gjitha këto përgjigje, shikoni raportet e auditoreve si dhe raportet e Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë-kompetent për vlerësim,të cilat QKMF-në në Gjilan e kanë vlerësuar ndër më të mirat në Kosovë.
Nëse i doni të faktuara të gjitha kĕto, dhe nuk doni t’ju besoni këtyre përgjigjeve shkoni në QKMF dhe merrni dëshmitë zyrtare. Por para kësaj çlirohuni nga lufta për poste politike dhe politizimi i institucioneve profesionale./2lonline/
Komisioni për shëndetësi i PDK-së
Lëshuar nga zyra për informim e PDK-së.