Për më tepër, për këtë çështje me interes për Teatrin e Gjilanit edhe është mbajt një debat, por për fat të keq interesimi ishte mjaft i vogël, sidomos i zyrtarëve komunal që janë përgjegjës për funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.
Fillimisht draft statutin e teatrit e ka prezantuar para të pranishmëve Shkëlzen Berisha, drejtor artistik i Teatrit të Gjilanit, në të cilin draft përshkruhen të gjitha detajet e funksionimit të një teatri profesionist, prej emërtimit deri te financimi e segmente të tjera me rëndësi.
Ata pak debatues prezent megjithatë dhanë idetë, sugjerimet, vërejtjet, për ktë draft-statut. Kështu Musa Huruglica, qytetar dhe dashamir i artit bëri kryesisht vërejtje rreth emërtimit si dhe teatrit të fëmijëve. Gyner Halili, aktor, u ndal tek teatri i të rinjve ku sipas tij nuk është përfshirë në këtë statut.
Aktorja Bukurie Kqiku, theksoi se me miratimin e këtij statuti më në fund aktorët dhe stafi punues do ta kenë tretmanin e merituar, sepse tashmë një kohë të gjatë teatri nuk ka qenë ai që do të duhej të ishte.
Nga ana e tij, Drejtori i Kulturës, Selver Xhelili, premtoi angazhim dhe përkushtim në funksionimin e Teatrit të Gjilanit.
Ky statut i teatrit pas vërejtjeve dhe sugjerimeve të dhëna do ti dorëzohet Kuvendit Komunal për miratim, ku më pas pritet që Teatri i Gjilanit të jetë bartës i aktiviteteve kulturore jo vetëm për Gjilan por edhe më gjerë./A.Arifi/