/2L ONLINE/ – Një delegacion I Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës me seli në Prishtinë, I kryesuar nga kryetari i saj, Fatmir Arifi, ka takuar kryetarin e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport dhe Diasporë, Nait Hasani. Me këtë rast Arifi e njoftoi Hasanin për gjendjen e rëndë në Luginë të Preshevës, sidomos në sferën e arsimit, kulturës dhe shumë sfera të tjera shoqërore.
Në kuadër të këtij takimi Arifi shprehu shqetësimin e tij për fenomenin e fshirjes nga evidenca e ofiqarisë të qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës nga organet e sigurisë së qeverisë serbe dhe si pasojë humbjen e shtetësisë në mënyrë arbitrare.
“Me këtë rast delegacioni nga Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës ia dorëzoi Parlamentit të Republikës së Kosovës, si prove materiale, peticionin e nënshkruar nga 8000 qytetarë të Luginës së Preshevës kundër veprimeve të qeverisë serbe për fshirjen nga evidenca të qytetarëve shqiptarë të Luginës”, ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, Fatmir Arifi kreu i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës.
Fatmir Arifi
Po ashtu Arifi theksoi se e ka njoftuar Hasanin se shumica e të zhvendosurve nga Lugina e Preshevës, të cilët janë strehuar në Republikën e Kosovës janë pa asnjë lloj dokumenti.” Kjo ka krijuar telashe të mëdha edhe të brezi i ri, të cilët po kanë vështirësi në ndjekjen e shkollimit këtu në Kosovë”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, nga kryetari I Komisioni, Nait Hasani mori zotimin se këtë çështje do ta ngrisë në debatin parlamentar që do të mbahet ditën e nesërme si dëshmi të një politike agresive të qeverisë serbe që po zhvillohet kundrejt shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Nait Hasani
Arifi tha se në këtë takim palët ishin të një mendje se Luginës së Preshevës po I kanoset rreziku deri në atë shkallë sa që shqiptarët në hapësirën e tyre mundë të mbesin një minoritet i papërfillshëm. /2L ONLINE/