(2L ONLINE) – Organizuar nga Drejtoria për Kulturë Rini e Sport në Viti, është mbajtur një debat publik Kalendari kreativ dhe plani i veprimit për vitin 2015, me të rinjtë e komunës së Vitisë, shoqëritë kulturore artistike, klubet sportive, forumet rinore dhe mediat që kishte për qëllim shkëmbimin e ideve për aktivitetet kulturore, rinore e sportive të cilat pëlqehen më shumë nga rinia.
Hasan Aliu zv.kryetar i komunës së Vitisë, tha se vetë prezenca kaq e madhe e të rinjve, tregon gatishmërinë për zhvillimin e kulturës, sportit dhe aktiviteteve tjera rinore, gjë që na jep mundësit që të përkushtohemi si institucione për investim në këta sektor.
Aliu ka ftuar të rinjtë që të japin propozime për zhvillim të aktiviteteve dhe ka premtuar se do ta kenë përkrahjen e kryetarit të komunës dhe qeverisë lokale.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Kaltrina Sylejmani, pasi ka njoftuar të pranishmit me aktivitetet kulturore e sportive që zhvillohen në komunën tonë, ka theksuar edhe nevojën e ideve të të rinjve vitias, si dhe klubeve e shoqërive të ndryshme, në pasurimin e kalendarit të zhvillimeve të këtyre aktiviteteve.
Ajo është shprehur se rinia është bartëse e aktiviteteve të shumta kulturore e sportive, andaj edhe kontributi I kësaj kategorie është shumë i nevojshëm. Për planet në të duhen në sektorin e kulturës foli përgjegjësi Ismet Sejdiu, ndërsa për sektorin e Rinisë dhe sportit, Emrush Azemi.
Të pranishmit parashtruan edhe pyetje dhe interesime nga përgjegjësit e Kulturës, ndërkohë kanë shprehur përmes formularëve me shkrim propozimet dhe idetë për aktivitetet që duhet të zhvillohen në të ardhmen./2L ONLINE/