(2L ONLINE) – Të rinjtë gjilanas, përfaqësues të organizmave të ndryshëm joqeveritarë, kanë qenë ata që më së shumti iu janë gëzuar vënies së gurthemelit për ndërtimin e objektit që njihet si Shtëpia e Rinisë. Ndonëse me gati një orë vonesë nga agjenda e paraparë, megjithatë Ministri i Ministrisë për Kulturë Rini e Sport, Memli Krasniqi, kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, u shfaqen në vendngjarje dhe hodhën lopatat e para me beton si simbolikë e nismës së këtij projekti që ata e vlerësuan kapital.
T ë pranishëm në këtë akt ceremonial të vënies së gurthemelit për Shtëpinë e Rinisë ishin edhe deputetët Lirije Kajtazi (LDK) dhe Zenun Pajaziti (PDK), pastaj përfaqësues të tjerë nga qendra dhe niveli lokal si dhe të rinjtë të OJQ-ve, të ndryshme, për të prezantuar fillimin e punëve në këtë objekt që siç tha, Ministri Krasniqi, kapë vlerën e 250 mijë eurove dhe pritet të përfundojë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
Ministri Krasniqi tha se nisma për këtë projekt ishte e mëhershme, por ja që tani po fillon së realizuari dhe për të rinjtë gjilanas do të bëhet një objekt modern ku ata mund t’i kultivojnë idetë e tyre, të zhvillojnë dhe realizojnë projekte të ndryshme rinore.
Ai e ka vlerësuar si ditë të veçantë këtë ditë kur po fillon së ndërtuari ky objekt, që sipas tij, mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport e cila për herë të parë po fillon me Qendra Rinore.
Ndërsa, kreu i komunës ës Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se me ndërtimin e këtij objekti, Shtëpisë së Rinisë, do të krijohen mundësi të mira për të rinjtë gjilanas t’i realizojnë idetë, projektet e aktivitetet e tyre. Haziri pret që punët rreth këtij objekti të realizohen në afatet e parapara.
“Rinisë gjilanase sot po i vjen një investim kapital. Është fjala për këtë projekt të ndërtimit të objektit ku do të kyçen rinia, Shoqatat, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal, organizata të tjera të rinisë që përfshinë studentë dhe nxënës, do të kenë mundësi jashtëzakonisht të mira që në objektin e vet me zhvillu aktivitetin e rinisë dhe me zbatu pjesën edhe të ligjit që lidhet me të drejtat dhe me avancimin e rinisë në përgjithësi”, ka thënë kryetari Haziri, duke informuar ministrin edhe për Qendrën e Trashëgimisë Kulturore respektivisht projektet që kanë filluar të ndërtohen, Teatrit dhe angazhimeve që duhet t’i bëjmë në të ardhmen lidhur me Teatrin e qytetit dhe jetën kulturore në përgjithësi në Gjilan.
Përndryshe, edhe Bujar Haziri drejtori Drejtorisë Komunale Për Rini, Kultur e Sport, ka thënë se është tejet i lumtur që pas shumë angazhimesh dhe pas shumë vitesh po arrijnë të realizojnë një nevojë të kahershme.
Përndryshe, As Haziri (LDK) e as Krasniqi (PDK) nuk deshën të flasin rreth asaj se a u shfrytëzua kjo ngjarje edhe për të biseduar për koalicione që ka të bëjë me krijimin e institucioneve qendrore, bile Ministri Krasniqi tha se ndodhet në Gjilan për këtë akt të rëndësishëm për rininë dhe se për të mirën dhe interesat e rinisë, do jenë bashkë sa herë edhe me LDK. /2L ONLINE/