(2L ONLINE) – Nga kjo situata e rëndë në Kosovë, për shkak të pushtetarëve të korruptuar që për vete dhe familjet e tyre kanë krijuar pasuri përrallore derisa qytetarët e Kosovës po varfërohen, ka bërë që më së shumti të goditen gjeneratat e reja të cilët problemin e punësimin po mundohen me e zgjidh duke ik në perëndim
Por, të rinjtë e Vetëvendosjes, Qendra në Gjilan, kanë kërkuar nga ata që të mos e lëshojnë vendin sepse kjo nuk është zgjidhje por të qëndrojnë në Kosovë dhe bashkërisht të luftojnë këtë pushtet të korruptuar.
Mediana Bislimi njëra nga aktivistet e reja të Vetëvendosjes në Gjilan ka thënë se kjo Lëvizje u bënë apel bashkatdhetarëve e sidomos bashkëmoshatarëve, pa të cilët në Kosova nuk ka jetë, që të mos largohen nga vendi por bashkërisht të përpiqen të krijojnë kushte për një jetë normale në vend.
“Kjo përveç tjerash mund të arrihet përmes luftës tonë kundër pushtetarëve të korruptuar deri në pamundësimin e keqpërdorimeve nga ana e tyre dhe bërjes së Kosovës shtet ligjor. Kjo nuk arrihet duke ikur nga atdheu por duke qëndruar dhe punuar këtu”, ka thënë Bislimi.
Ajo shtoi se gjithkund ku funksionon shteti ligjor dhe ku pushtetarët janë të përgjegjshëm, në vendet mesatarisht të zhvilluara, punësimi konsiderohet e drejt elementare njerëzore. Në shtetet e prapambetura të sunduara nga kastat e papërgjegjshme të cilat të vetmin synim e kanë jetën e shfrenuar, luksin dhe pasurimin personal punësimi i qytetarëve të thjesht konsiderohet privilegj. Fatkeqësisht Kosova i takon grupit ku punësimi në sektorin shtetëror dhe ndërmarrjet publike është privilegj, këtu në të shumtën e rasteve punësimi bëhet përmes lidhjeve të forta ose korruptimit të punëdhënësve.
“Punësimi në sektorin privat përcillet me shkelje të rënda të të drejtave të punëtore, të drejtat e të cilëve nuk i mbron as shteti e as sindikatat të cilat nuk e luajnë rrolin për të cilin janë formuar. Kjo kategori e të punësuarve detyrohen të punojnë me orar të stërzgjatur shpesh pa as një ditë pushimi në javë dhe pa pushim vjetor, pa të drejt në pushim mjekësor apo të lehonisë. Të ardhura e tyre janë shumë më të ulëta se të ardhurat (zyrtare) minimale, që as përafërsisht nuk i mbulojnë nevojat elementare të një familjeje. Shpesh ndodh që atyre të ju vonohen pagat, e ndonjëherë ndodh që ato mos t’ju jepen kurrë”, ka thënë Mediana Bislimi.
Ajo shtoi se kjo situatë që është trashëguar që nga koha kur Kosova ka qenë pashallëk i sundimtarëve të huaj fatkeqësisht ka ndryshuar shumë pak në këto 15 vitet e fundit sepse edhe sundimtarët e Kosovës së lirë dhe të pavarur gjatë këtyre viteve kanë bërë për vete dhe familjet e tyre pasuri përrallore derisa qytetarët e Kosovës po varfërohen.
“Kjo situatë më së shumti po i godet gjeneratat e reja të cilët problemin e punësimin po mundohen me e zgjidh duke ik në perëndim. Udhëtimi përmes kanaleve ilegale, që po ju kushtojnë shumë shtrenjtë, shpesh po përfundon në kampe ose burgje nga ku këta të rinj po kthehen në atdhe” ka thënë Bislimi, për të apeluar që të mos lëshohet Kosova, por të përpiqen bashkarish të krijojnë kushte për një jetë normale e kjo përveç tjerash, mund të arrihet përmes luftë kundër pushtetarëve të korruptuar deri në pamundësimin e keqpërdorimeve nga ana e tyre dhe bërjes së Kosovës shtet ligjor.
“Pushtetarët duhet ta kuptojnë se emigrimi nuk mund të pengohet me polici. Emigrimi parandalohet me politika zhvillimore të shtetit ligjor ku nuk lejohen keqpërdorimet dhe korrupsioni”, ka thënë aktivistja e vetëvendosjes Mediana Bislimi.
Edhe Migjen Fazliu, aktivist i Vetëvendosje ka thënë që është fakt që shpresa u ka humbur këtu në Kosovë këtyre që po ikin nga vendi por se ikja nuk është zgjidhje. Ai tha se duhet që këta të rinj dhe qytetarë të tjerë, të qëndrojnë në Kosovë e të luftojnë për të drejtat e tyre, për ta rikthyer shpresën dhe për ti realizuar të drejtën e tyre duke përfshirë këtu edhe punësimin. /2L ONLINE/