Edhe pse Kosova është një nga vendet me moshë mesatare të re në Evropë, për të rinjtë, çështja e punësimit është një ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohen në këtë vend.
Shkruan: Teuta Selishta
Të përballesh me papunësi, e që është një realitet i dhimbshëm çdo ditë, nuk është aspak një aset i vyer për rininë, përkundrazi është një motiv për të ikur nga ky vend. Nëse i shohim raportet e fundit të Bankës Botërore për gjendjen ekonomike të Evropës Juglindore, të rinjtë të papunë arrijnë mbi 30 %, kjo do te thotë se çdo i 4-ti prej të rinjëve është i papunë.
Përveç se nuk ka vende pune, është larguar edhe vullneti për të punuar brenda vendit kur shohin padrejtësitë,nepotizmin dhe krimin e organizuar, vështirësitë e sfidat me të cilat ballafaqohen moshatarët e tyre të cilët punojnë në sektorin privat. Rroga e dobët, pa sigurime shëndetesore, pa trust të paguar,punë pa orarë, pa respekt dhe dinjitet të punëtorit në vendin e punës, dhe shohin shtetin se si i jep përparësi biznesit përpara punëtorit, si dhe dukuri tjera të cilat sot e karakterizojnë sektorin privat në Kosovë, kanë bërë që shpresat të shuhen, dhe ikjen nga ky vend të e shohin si zgjidhje për një jetë më të mirë. Shëndetësia e dobët, arsimimi pa cilësi, dhe mos zhvillimi ekonomik janë poashtu faktorë shtesë për shuarje të shpresave për të ndërtuar jetë të rinjtë në këtë vend.
Ne si shoqëri, prindër, familjarë dhe të rritur, nuk duhet të e lejojmë denigrimin e të rinjëve deri në këtë masë, aq sa të u shuhen shpresat për të ndërtuar të ardhme këtu, për të pasur karrierë, studiuar e punuar.
Është e turpshme për gjeneratën tonë të qëndrojmë duarkryq, dhe vetëm të shohim me sytë tanë se si shkelet e drejta për të jetuar dinjitetshëm, për të pasur perspektivë, për të pasur kushte të barabarta, konkurrencë të drejtë, dhe rekrutim korrekt në institucione. Është e turpshme për gjeneratën tonë, dhe me të drejtë do të na kërkojnë përgjegjësi neser, nëse qëndrojmë duarkryq dhe lejojmë të nëpërkëmbet gjenerata më e mirë e një shoqërie – rinia.
Kush është fajtori pse të rinjtë duan të ikin nga ky vend? A ka ndokush që jep përgjegjësi për mosliberalizimin e vizave, si nga qeveritë e kaluara ashtu edhe nga kjo aktuale, e cila kishte gojën plotë premtime me data e afatizime, dhe tani kuptohet që zyrtaret e BE-së asnjëherë nuk u kishin premtuar ndonjë datë,e kjo do të thotë se dikush ka gënjyer, dhe për gënjeshtrat që i kanë servirë dikush duhet të jep përgjegjësi.
Sa të rinjë kanë humbur mundësinë për të ndjekur trajnime e seminare në vendet e BE-së, dhe u janë prishur planet jetësore pikërisht nga po këta njerëz që i kanë gënjyer me premtime boshe për liberalizim dhe lëvizje të lirë nëpër vendet e BE-së.
Nese ne sot nuk flasim dhe lejojmë të mashtrojnë, shpifin, gënjejnë e dalin paqt pa marrë përgjegjësi, së paku me një kërkim falje dhe dorëheqje, jo shumë largë do të i bartim pasojat si shoqëri. Këto shpresa që i janë shuar rinisë tonë, vetëm duke kërkuar drejtësi mund të rikthehen sërish. Besimi i humbur tashmë në institucionet e vendit vetem duke u bashkuar si qytetarë, pa dallime partike, për ti kërkuar qeverisë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme, dhe të mos ndalemi deri në dorëheqje të personave përgjegjës për gënjeshtrat dhe mashtrimet, ndoshta mund të ia kthejm rinisë shpresat se në këtë vend mund të jetohet dhe ka drejtësi.
Vetëm kur të japin dorëheqje ata që kanë premtuar data për liberalizim të vizave, hapje të vendeve të reja pune, perspektivë për të rinjtë në këtë vend, kur të tregojnë përgjegjësi do të mund të kthehet shpresa për të jetuar në Kosovë. Ndryshe, shpresat çdo dite e më shumë po shuhen, dhe ikja e ajkës së shoqërisë – rinisë – është e pashmangshme.