/2L ONLINE/ – Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtor Rajonal, në Drejtorinë Rajonale të Policisë – Gjilan, ka bërë të ditur për një rast të falsifikimit të parasë që është regjistruar në Gjilan.
Azizi ka thënë se Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion- Gjilan ka pranuar tre raste nga Raiffessen Bank-Gjilan të paraqitura në kohë të ndryshme të ,,Falsifikimit të parave “ të kartëmonedhave në vlerë prej 50 €, ku pas ekzaminimit të kartëmonedhave të gjitha kanë rezultuar të jenë të falsifikuara.
“Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi nga banka, se personi i dyshuar kishte vënë në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara duke deponuar përmes ATM (automat) në këtë bankë dhe menjëherë në ATM tjetër ka bërë tërheqjen e shumës së njëjtë që ka deponuar. Njësiti kundër krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Gjilan në asistim të Njësinë e Reagimit të shpejtë Gjilan ka ekzekutuar urdhëresën e Gjykatës Themelore, dhe gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë e dyshuar, por gjatë intervistës ka pranuar se vërtetë ka vënë në qarkullim paratë të falsifikuara por të cilat nuk ka qenë të tija, por të një qytetari tjetër”, ka thënë nënkolonel Azizi.
Sipas tij, pas njoftimit të prokurorit të shtetit dhe me urdhër verbal të tij është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit të dytë ku janë gjetur dhe sekuestruar shumë e parave në vlerë prej 14.900€ të dyshuara si të falsifikuara.
Të dyshuarit janë intervistuar me aktvendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë në qendrën e ndalimit. /2L ONLINE/
fotoilustruese