Në 22-vjetorin e vrasjes së Fehmi Aganit, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka kërkuar që të ngritët padi penale kundër vrasësve të Fehmi Aganit.
Të ngritet padi penale kundër vrasësve të Fehmi Aganit
Në kuadër të zbatimit të politikës gjenocidare të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, 22 vjet më parë, më 6 maj 1999, nga treni me të cilin dëboheshin mijëra shqiptarë në drejtim të Maqedonisë, forcat e armatosura serbe bënë përzgjedhjen e njerëzve që duhej vrarë. Në mesin e atyre që duhej të vriteshin ishte edhe Fehmi Agani profesor i Universitetit të Prishtinës dhe njëri nga sociologët më të shquar të ish-Federatës Jugosllave, i cili ishte nënkryetar i LDK-së dhe përfaqësues i Kosovës në të gjitha negociatat që ishin zhvilluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një zgjidhjeje politike për Çështjen e Kosovës.
Ndarja e Fehmi Aganit nga familjarët e tij në prani të shumë qytetarëve të tjerë shqiptarë që ishin në të njëjtin tren me të dhe reagimet e shumta ndërkombëtare pas zbulimit të kufomës së tij më 7 maj 1999, Qeveria e Serbisë u përpoq të hiqte përgjegjësinë nga vetja.
Me qëllim që vrasja e Fehmi Aganit të mos paraqitej si vrasje e përgatitur nga strukturat e larta shtetërore, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ngriti kallëzim penal kundër policëve serbë Predrag Nikoliq dhe Zoran Dzeletoviq të cilët bënë ekzekutimin e Fehmi Aganit dhe të pesë anëtarëve të familjes Blakçori: Miradija (50 vjeçe), Fehmiu (60 vjeç) Labinoti (14 vjeç), Mehmeti (56 vjeç) dhe gruan e tij, Sabilja (50 vjeçe). Si edhe në shumë raste të tjera që kishin lidhje me krimet serbe në Kosovë, edhe ndriçimi i këtij krimi iu besua gjykatëses hetuese Danica Marinkoviq, e njohur për besnikërinë e saj ndaj Sllobodan Millosheviqit.
Rezultati ishte i njëjtë: gjykatësja e preferuar e Sllobodan Millosheviqit, Danica Marinkoviq konstatoi se “faji ishte i shqiptarëve” dhe liroi kriminelët Predrag Nikoliq dhe Zoran Dzeletoviq me arsyetim se “ata ndershmërisht kishin kryer punën e tyre”.
Regjimi i moçëm i Serbisë e cilësonte si kryerje detyre me nder vrasjen e shqiptarëve dhe realizimin e projektit të gjenocidit. Ndërsa regjimi i ri Serbisë, me njerëzit e regjimit të vjetër, vazhdoi me të njëjtën strategji. Në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit, vrasjet që kishin kryer forcat e armatosura serbe ia veshën UÇK-së. Për këtë qëllim ata përpiluan listën e civilëve gjoja të vrarë nga UÇK-ja dhe ua shpërndanë institucioneve politike dhe mediatike ndërkombëtare. Në këtë listë u fut emri i Fehmi Aganit; emri i profesorit tjetër universitar Latif Berisha; emri i avokatit Bajram Kelmendi dhe i dy djemve të tij, Kushtrimit 18 vjeç dhe Kastriotit 31 vjeç; emri i kryetarit të Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Agim Hajrizi, i nënës së tij, Nazmies dhe i djalit të tij Ilirit, i cili ende nuk i kishte mbushur 13 vjeç; emri i veprimtarit të shquar politik Gafurr Lokut dhe i djalit të tij Dritonit 20 vjeç; emri i aktores së re të teatrit, Adriana Abdullahu 23 vjeçe dhe emrat e qindra civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon që institucionet e drejtësisë së Kosovës të ngrenë padinë penale kundër Predrag Nikoliq dhe Zoran Dzeletoviq për vrasjen e Fehmi Aganit dhe të pesë anëtarëve të familjes Blakçori dhe të intensifikojnë përpjekjet për ndëshkimin e krimit të gjenocidit në Kosovë.