Meqë te ne shqiptarët, çudirat, gati të të gjitha llojeve, nuk po marrin fund, reagimet e shumta po na imponohen, jo si dëshirë për të kritikuar dikë, por si refleks i natyrshëm kundër çdo lloj rreziku që mund t’i kanoset Kosovës , sidomos nga bartësit institucionalë dhe shtetërorë të saj, siç është rasti me pazaret teritoriale të njeriut të parë të vendit!
Shkruan:Hafiz Gagica
Është për t’u habitur, madje mezi e kapshme, rënia dhe ngritja e amplitudave “Pro-et-Contra” amerikane e të parit të vendit, i cili sa herë që do të niset për SHBA si dhe gjatë qëndrimit atje, i thur lëvdata Amerikës, por posa kthehet në Kosovë, me deklarata tjera, bie në kundërshtim me atë që e ka konsideruar si “pozitive” në politikën pragmatike dhe miqësore amerikane ndaj Kosovës!
Pikërisht i pari i vendit, me dorën e vet gjatë shumë viteve të sundimit të tij në shoqërinë kosovare e ka mbjellë korrupsionin, përçarjet, dallimet regjionale, despotizmin, sidomos brenda dhe jashtë institucioneve të Republikës së Kosovës, duke i bërë reparte personale ato. Tani nga ky fron i pushtetshëm, për interesa të veta, ka marrë flamurin e nxerrjes në pazar hapsira tokash kosovare, duke rrezikuar ta sjellë në pozitën zero bërjen e shtetit të Kosovës. Shenjat e para të flamurtarit të tillë kosovar të Hashim Thaqit, ndër të tjera, janëedhe tërheqjet e mbi 10 vendeve nga njohja e shtetësisë sonë.
Retorika e tij politike që përsëritet demagogji bajate, e cekët me muaj po ushtron dhunë mbi hapsirën kosovare dhe shqiptare, ka krijuar shqetësim dhe psihozë acaruese në masë. Tezat – Pro dhe kundra SHBA, nevoja për tu ndarë e pastai për tu bërë fqinjë të mirë me Serbinë, të cilave u jep veshje të ndryshme nga dita në ditë, janë letra të dala boje me të cilat synon t’a hutojë popullin.
Për të mos e zgjatur edhe pse asgjë transparente nga takimet me më të mëdhenjve burra të botës (që nga Putini e poshtë), tani janë të qarta objeksionet Thaçi-Vuçiq, është koha të ndalohet yryshti i këtij Presidenti.
Ma merr mendja se është pritshmëri e shumicës së popullit të shqetësuar për të ndërmarrë nisma kushtetuese për ta ndaluar këtë yrysh.
Ngase, Kosova është shtet sovran i popullit të Kosovës, ajo nuk është pronë e asnjërit politikan dhe individ, i cili merr guximin të luajë me fatin e saj dhe të një kombi të tërë!