Të hënën më 10 shkurt, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë raportin më të ri mbi zhvillimet tremujore në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon, një takim në të cilin në emër të institucioneve të Kosovës do të marrë pjesë dhe do të flasë kryeministri, Hashim Thaçi, transmeton mediumi publik.
Presidencën e Këshillit për këtë muaj e kryeson Lituania, ndërsa për herë të parë për raportin mbi Kosovën do të flasin anëtarët e rinj rotativë, që startuan në janar me një mandat dyvjeçar. Ato janë Lituania, Nigeria, Jordania, Çadi dhe Kili dhe katër prej tyre, përveç Kilit, janë në mesin e 106 vendeve e që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Vendet e tjera rotative në Këshillin 15 anëtarësh, përveç atyre të përhershme janë edhe Australia, Argjentina, Luksemburgu Republika e Koresë dhe Ruanda.
Në raportin e tij më të ri për Kosovën, Sekretari Ban i rekomandon bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të inkurajojë dhe të mbështesë aktivisht procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
“Muajt e ardhshëm duhet të jenë një periudhë në të cilën konsolidimi i progresit të arritur në vitin 2013 duhet të bëhet bazë për trajtimin e sfidave të tjera të vështira”, thekson Ban. Ai merrë shembull siç thotë ”përparimin përmbajtësor që është arritur në tranzicionin e strukturave të policisë në veri të Kosovës që duhet të pasohet me progres dhe përparim edhe në fushën e gjyqësorit dhe fusha të tjera të zbatimit të ligjit”.