Durim Kadriu
/2L ONLINE. – Fond, kjo fjalë e keqpërdorur jashtëzakonisht shumë ndër shqiptarë këto dy dekadat e fundit, fjalë të cilën posa ta dëgjosh, menjëherë të vete mendja tek keqpërdorimi dhe hajnia.
Duke i menduar të gjitha këto, isha i bindur që : më, askush nuk do të mund të mbledh as edhe një qindarkë të vetme për çkado qoftë dhe për këdo qoftë.
Për fat të mirë dola i gabuar në këtë bindjen time.
Dola i gabuar ngase Fondi Humanitar për asfaltimin e rrugës Zarbincë- Muhoc e dëshmoi të kundërtën.
Ky fond i themeluar nga veprimtarë dhe aktivistë të njohur të Malësisë së Bujanocit dhe i bazuar në idenë e kahershme të Dr. Ilaz Selimit, po e kurorëzon me sukses misionin e tij në mbledhjen e mjeteve materiale për asfaltimin e rrugës Zarbincë- Muhoc.
E gjithë kjo po arrihet falë mbështetjes së pakursyer të gjithë Malësisë kudo që ndodhen, dhe në veçanti falë punës së palodhshme të Kryesisë së Fondit që vepron në Zvicër, me në krye z. Hasan Sherifi.
Se po mbështetet Fondi nga të gjithë, kjo as që diskutohet, ngase këtë e dëshmojnë rastet e shumta kur përpos kryefamiljarëvë , kontribues janë edhe bijtë e bijat e tyre, bijat e martuara, e madje në disa raste edhe fëmijët e vegjël. Prapa nuk mbeten as nipërit dhe dhëndurët e Malësisë.
Ajo që po e bënë edhe më madhështore këtë iniciativë është mbështetja financiare që po japin bashkatdhetarët tanë të cilët nuk janë nga Malësia, nuk kanë kurrfarë lidhje me Malësinë, e disa as që e dinë kah i bie Malësia e Bujanocit, si p.sh. nga: Breznica,Ternoci e Lluqani, Leshtari, Velekinca e Mucibaba, pastaj : Ferizaji, Vushtrria, Prishtina, Struga, e deri nga SHBA-ja.
Duhet përmendur, patjetër, edhe dy raste donacioni që më të vërtetë janë të veçanta:
1. Izudin Isakovic nga Zenica e Bosnjës dhe
2. Muhamet Ramadani, i cili nga ndihma e tij sociale ndau 5 euro për Fondin.
Kryesia e Fondit në Zvicër e prekur nga gjesti i Muhamet Ramadanit, e ndihmuan këtë të fundit me një shumë simbolike.
Deri tani, në këta pak muaj ekzistence Fondi ka arritur të mbledhë mbi 100.000 euro.
Dhe për fund, jam i bindur që kjo nismë da të kurorëzojë me sukses misionin e saj, do ta bëjë asfaltimin e rrugës Zarbincë-Muhoc, dhe njëherit do ta përmbushë edhe ëndrrën e lënë përgjysmë të Dr. Ilaz Selimit, i cili para disa dekadave kishte shitur tokën e tij për ta hapur këtë rrugë ! /2L ONLINE/