Me ceremoni zyrtare, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha priti në vizitë, ministren e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska-Jankovska.
Fillimisht të dy ministrat zhvilluan takim vetëm për vetëm dhe më pas u zhvillua takimi i përbashkët i të dy delegacioneve, me ç ‘rast u bisedua për marrëdhëniet e mira dypalëshe, aktivitetet konkrete si dhe për vazhdimin e marrëdhënieve në të ardhmen.
Me këtë rast, ministri Berisha falënderoi ministren Shekerinska për bashkëpunimin e mirë dhe konkret me Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë, për gatishmërinë për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit si dhe për shkëmbimet tjera në fushën e trajnimeve, shkollimeve si dhe ushtrimeve fushore.
Ministri Berisha konfirmoi aspiratën e Republikës së Kosovës për Anëtarësim në NATO dhe integrim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se marrëdhëniet e mira me vendet anëtare të NATO-s dhe vendet që aspirojnë për t’u anëtarësuar në NATO është prioritet i yni. Në kontekst të kësaj, ministri Berisha foli edhe për përgatitjet për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës(FAK) si Forcë e të gjithëve dhe për të gjithë qytetarët e vendit.
Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë tha se Ministria që ajo drejton është e gatshme për kultivimin, zgjerimin dhe avancimin e bashkëpunimit shumë të frytshëm me Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ajo tha se kapacitetet shkollore, trajnuese dhe stërvitore janë të gatshme dhe në dispozicion për aktivitete të përbashkëta.
Të dy ministrat, Berisha dhe Shekerinska-Jankovska, pas takimit, para gazetarëve, konfirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen reciproke, bazuar mbi Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, të dy vendeve tona.
Me këtë rast, ministri Berisha theksoi se me ministren Shekerinska biseduan për bashkëpunimin e deritanishëm, i cili ka qenë shumë aktiv si dhe u akorduam që aktivitetet tona të vazhdojnë edhe në të ardhmen, bazuar në Memorandumin e bashkëpunimit që kemi nënshkruar të dy ministritë.
Rëndësi e veçantë tha ministri Berisha i është kushtuar përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë, si dhe është bërë një hap më shumë edhe me hartimin e Strategjisë për integrim të komuniteteve ku aktualisht FSK-ja ka brenda strukturës së saj mbi 10%. ,,Në kuadër të kësaj është transformimi i FSK-së në FAK përmes ndryshimeve kushtetuese, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë faktorët politikë dhe përfaqësuesit politikë të komuniteteve, në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe NATO-në’’, përfundoi ministri Berisha.
Ministrja Radmila Shekerinska – Jankovska tha se marrëdhëniet e mira me FSK-në do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke thelluar këtë bashkëpunim edhe më tutje. Ajo përmendi edhe shkollimin ushtarak dhe programin e ri të NATO-s për shkollime ushtarake dhe, siç tha ajo, kur kadetët e vendeve tona shkollohen dhe bashkëpunojnë bashkë mirë tani, këtë frymë do ta bartin edhe në të ardhmen si ushtarakë.
Ministrja Shekerinska tha gjithashtu se sipas planit të bashkëpunimit për këtë vit, ndërmjet dy ministrive ne do të marrim pjesë në ushtrimin ,,Shqiponja 6’’ si dhe do ta shfrytëzojmë për stërvitje dhe trajnim edhe Qendrën e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të FSK-së. Ndërsa, sa i përket transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura ajo tha se përkrahin transformimin me ndryshime kushtetuese dhe shtoi: ,,Ne e përkrahim qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare se duhet të respektohen të gjitha procedurat, situata politike dhe të gjitha situatat e ndjeshme në rajon’’.
Në përfundim të vizitës, ministri Rrustem Berisha, ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, zonja Shekerisnka dhe delegacioni maqedonas vizituan Qendrën për Studime Universitare, ku u pritën nga zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, si dhe patën mundësi të bashkëbisedojnë dhe të shohin nga afër kushtet e studimit të kadetëve të FSK-së.