Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të mërkurën, në mbledhjen e radhës, të cilën e ka udhëhequr Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka miratuar raportin financiar janar-mars 2017, propozimet e komisionit për emërtimet e rrugëve dhe adresave në territorin e Komunës së Gjilanit, lokacionet dhe hapësirat publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, raportin financiar të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2017” si dhe projektin për funksionimin e Teatrit të Qytetit për vitin 2017, në shumë prej 83.220 euro.
Njëherësh, KPF ka vendosur që në rend ditë të seancës së ardhshme të Kuvendit Komunal, më 28 prill, të futet edhe propozimi për subvencionimin e shoqatës së të verbërve, shoqatës “Pema” dhe shoqatës “Handikos”. Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se do të shikohen të gjitha mundësitë për të gjetur mjete për këto shoqata, para se të bëhet rishikimi i buxhetit.
Pika e vetme ku Komiteti ka zhvilluar debat, ka qenë ajo e emërtimeve të rrugëve, meqë siç është thënë, ka disa raste ku as komisioni nuk ka arritur konsensus.
Sahit Abazi (PDK), i cili ka abstenuar në votim te kjo pikë, ka thënë se me sa është i njoftuar, në disa raste komisioni ka hasur në vështirësi në marrjen e vendimeve, prandaj ka vendosur që çështjet ku nuk ka pasur konsensus të brendshëm, t`ia bart Kuvendit për të marrë vendimin.
Ai e ka vlerësuar të gabueshme këtë metodë të punës së komisionit, duke thënë se po tenton që topin ta gjuaj tjetër kund për rastet ku nuk është treguar i aftë që të vendos vetë. “Ne jemi të ndryshëm për nga përkatësia partiake, por rrugët dhe rrugicat i kemi të përbashkëta, prandaj komisioni duhet të arrijë konsensus të brendshëm te këto vendime”, ka thënë Abazi.
Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se komisioni jep propozime, por vendimin për emërtimet e merr Kuvendi Komunal, përfshirë edhe rastet kontestuese, që nuk janë më tepër se dy-tri sosh. “Komisioni e bën punën e vetë teknike, ndërsa vendimmarrja jemi ne”, ka thënë ajo.
Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se Gjilani edhe ashtu ka ngelur prapa të tjerëve në këtë çështje. Komisioni ka punuar shumë dhe e ka kryer punën më të madhe, ndërkaq rastet kontestuese, që nuk janë shumë, është normale të vendosen në Kuvend, ka thënë ai.
Selami Xhemajli (AAK) ka propozuar që votimi për miratimin e emërtimeve të jetë i fshehtë, për shkak të specifikave dhe mundësive për të reflektuar ndjeshmëri në këtë çështje nga disa kuvendarë.
Ismet Hajdini (G/4) ka thënë se disa periudha historike nuk janë përfshirë në këto emërtime dhe ka paralajmëruar se vërejtjet e tij do t`i jap në seancën e Kuvendit.
Kurse Nevzad Rushiti (LDK) ka kërkuar që të specifikohen emrat Xheladin Kurbaliu dhe Xheladin Karadaku, duke thënë se këtij të fundit duhet t`i shtohet edhe mbiemri Beqiri, meqë kështu njihet ai në histori.
Fadil Sherifi nga Drejtoria për Urbanizim, në emër të komisionit për caktimin e lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, ka thënë se është bërë identifikimi i hapësirave më të përshtatshme, ku do të vendosen shtatoret, bustet dhe pllakat përkujtimore për Reshat Ymerin, Xhavit Ahmetin, Halim Oranën, Idriz Seferin, Esat Berishën, Ramiz Cërnicën, Mulla Idrizin dhe Rexhep Malën e Nuhi Berishën.
KPF ka miratuar edhe raportin financiar të manifestimit “Flaka e Janarit 2017”, manifestim ky që përmes vlerave artistike nderon martirët, dëshmorët dhe heronjtë shqiptarë, të rënë përgjatë rrugëtimit të gjatë për liri dhe mëvetësi kombëtare.
Sipas llogaritjes përfundimtare, “Flaka e Janarit 2017” ka kushtuar 33.945 euro, që konsiderohet shumë minimale për një manifestim kaq të madh mbarëkombëtar, i cili fillon më 11 janar dhe përfundon më 31 janar.