Fushata e zgjedhjeve të brendshme, ku është shpalosur platforma për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje nga kandidati Albin Kurti, është përmbyllur në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme. Ditën e diel, data 21 janar 2018, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje do të votojnë sipas parimit një anëtar–një votë nëpër vendvotimet që do të hapen në komunat e ndryshme të Kosovës dhe në mërgatë, bënë të ditur Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Vendvotimet brenda Kosovës do të hapen të dielën nisur nga ora 10:00 e mëngjesit dhe do të mbyllen në ora 19:00. Të gjitha adresat e këtyre vendvotimeve janë bërë tashmë publike për anëtarësinë nga Komisionet Zgjedhore Ad Hoc të Qendrave të Lëvizjes në Kosovë. Ndërsa orari i vendvotimeve që do të hapen të dielën në Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje në mërgatë ndryshon sipas shtetit ku veprojnë Qendrat tona dhe hapësirave të vëna në dispozicion për procesin e votimit. Të gjitha oraret dhe adresat e vendvotimeve të Qendrave tona në mërgatë gjithashtu janë bërë publike për anëtarësinë nga Komisionet Zgjedhore Ad Hoc të këtyre Qendrave”, thuhet në njoftimin e KZP-së.
Pas mbylljes së procesit të votimit ditën e diel, do të fillojë procesi i numërimit të votave. Me përfundimin e numërimit të votave, KZP-ja do të bëjë shpalljen e rezultateve paraprake për votat “për”, “kundër” dhe “abstenim” në lidhje me kandidaturën për kryetar të deputetit Albin Kurti.
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i bën thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje të shprehin këtë të diel vullnetin e tyre të lirë demokratik duke votuar anekënd Kosovës dhe në mërgatë.