Takimi i radhës i kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, do të zhvillohet më 31 mars, bën të ditur zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është edhe ndërmjetësuese e procesit.
“Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton, do të vazhdojë bisedimet me kryeministrin Hashim Thaçi, si dhe me kryeministrin Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministrin Aleksandar Vuçiq. Në takim, dy palët do të vazhdojnë punën e tyre rreth zbatimit të Marrëveshjes së Prillit dhe do të diskutojnë po ashtu për hapat e ardhshëm në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në njoftim, transmeton RTK.