Të enjten në fshatin Tërnoc do të organizohet “Takimi i Vendlindjes” mes banorëve të fshatit dhe mërgimtarët që këto ditë po qëndrojnë në vendlindje.
Ky vendbanim shqiptar i komunës së Bujanocit, sikurse viteve të kaluara edhe këtë vit do të organizojë manifestimin në fjalë, mirëpo pak ditë para mbajtjes së këtij takimi ka ndryshuar agjenda e mbajtjes së saj.
Më 7 korrik klubi futbollistik “Tërnoci” kishte dalë me njoftimin se “Takimet e Vendlindjes” që do të zhvillohet më 31 korrik, ndër të tjera do të manifestohet edhe me ndeshje futbollistike miqësore me bashkatdhetarët, që tashmë është tradicionale.
Më 25 korrik Bashkësia Lokale e fshatit Tërnoc ka ndryshuar agjendën, në vend të ndeshjes së futbollit ajo ka dalë me njoftimin se përveç vizitës në muzeun e “Komandant Lleshit” (ora 9h) që ishte paraparë edhe më herët në agjendë, tani do të kemi një shëtitje me biçikleta, (nga ora 10h) duke filluar nga stadiumi i KF Tërnocit, për të vazhduar për Bujanoc-Turi-Tërnoc-Breznicë dhe anasjelltas deri te Muri i parë.
Mirëpo, bashkatdhetarët që me jave po përgatiten për ndeshjen e shumëpritur të futbollit, e cila ishte paralajmëruar nga klubi tërnocas qysh në njoftimin e parë të organizatorëve, janë shprehur të indinjuar me ndryshimin e bërë në momentin e fundit.
“Ne me javë jemi duke u përgatitur që të zhvillohet ndeshja e futbollit. Tash del njoftimi s’ka futboll por gara me biçikleta. Ju lutem të jeni më serioz në organizim, shumë pak nga ne kanë kondicion për një garë të tillë me dhjetëra kilometra me biçikletë”, i tha Titullit me anonimitet bashkëvendësi që jeton në Zvicër, e që këto ditë përgatitjet për ndeshjen e shumëpritur me lojtarët e KF Tërnocit i kishte bërë në fushën e futbollit “Pipa”.
Nga ana tjetër edhe drejtori i Klubit Futbollistik “Tërnoci” Enis Salihu është shprehur se ndeshja do të zhvillohet të enjten me fillim në orën 16h mes veteranëve, kurse nga ora 17h mes të rinjve që ndodhen në mërgatë si dhe KF “Tërnocit”.
Sipas Salihut agjenda nuk do të ndryshojë dhe se ndeshja tradicionale do të mbahet të enjten (31 korrik).