Kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë me dije se bashkë me udhëheqësin e Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Muçiqi, Drejtoreshën për Zhvillim Ekonomik, Majlinda Krasniqi dhe koordinatoren e ZIMB-it z. Arta Jerliu, vizituan Bashkinë e Tiranës, të Kamzës dhe të Fierit.
Sipas tij, ky takim kishte për qëllim që të njihen më afër me këto Bashki, t’i njohin sfidat dhe problemet që ballafaqohen e njëkohësisht t’i shikojnë mundësitë për të bashkëpunuar në të ardhmen.
“Në takimin me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, Drejtoreshën për Turizëm dhe Promovim të Investimeve e Këshilltaren e Krybeshkiakut Veliaj, diskutuam në lidhje me nisjen e bashkëpunimit dhe gjetjes së mbështetjes me fokus në fushën e zhvillimit ekonomik, reformën në edukim dhe shkëmbimit të përvojave në promovimin e turizmit”, ka thënë Kastrati.
Pas vizitës në Tiranë, Kastrati ka bërë me dije se janë takuar edhe me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe kryetarin e bashkësisë së Fierit, Armando Subashi. “Me kryetarin Mziu ramë dakord që ta bëjmë binjakëzimin e Komunës së Kamenicës me Bashkinë e Kamzës, në mënyrë që ta përmirësojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Zoti Mziu tha se është i gatshëm për fillimin e procedurave për binjakëzim dhe të startojmë sa më shpejt për shkëmbimin e eksperiencave mes dy vendeve”, ka bërë të ditur Kastrati.
Ndërkaq, me kryetarin e Bashkisë së Fierit, z.Subashi, kryetari i Kamenicës, ka bërë me diej se diskutuan kryesisht në lidhje me fushën e bujqësisë e blegtorisë në aspektin e zhvillimit ekonomik. Me këtë rast janë dakorduar që të kenë kontakte më të shpeshta dhe t’i shohin të gjitha mundësitë për bashkëpunim në nivel komunal.
“U jam mirënjohës për mirëpritjen dhe gatishmërinë që kanë për të na ndihmuar në të gjitha aspektet”, ka thënë Kastrati.