(2L ONLINE) – Zyra Rajonale e OSBE-së në Gjilan së bashku me Komunën e Gjilanit ka organizuar sot takim për procesin e përgatitjes së buxhetit komunal për vitin 2015, me ç’rast rolin e legjislativit dhe ekzekutivit në këtë proces e kanë vlerësuar shumë të rëndësishëm, sikur që edhe pjesëmarrjen e qytetarëve në debate publike.
Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe kryetari i komunës, kryesuesja e kuvendit komunal dhe të gjithë drejtorët e drejtorive komunale dhe shërbyesit civil të cilët janë përgjegjës për planifikimin e buxhetit.
Qëllimi i këtij takimi ishte informimi dhe njohja më e përafërt me procesin e planifikimit të buxhetit të komunës si dhe ngritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse të kuvendit karshi ekzekutivit të komunës. Një kontribut shumë i çmueshëm u tha se do ta jepte edhe publiku me pjesëmarrje në proceset e hartimit të buxhetit komunal dhe poashtu edhe nivelin e konsultimit me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve.
Gjithashtu janë dhënë rekomandime të përbashkëta për institucionet e nivelit lokal, lidhur me atë se si të planifikohet buxheti komunal, si të rritet transparenca dhe pjesëmarrja e publikut në mënyrë që të sigurohen interesat e të gjitha komuniteteve dhe grupeve gjatë planifikimit të buxhetit. /2L ONLINE/