Zyra për komunikim publik e Kryeministrisë sot njofton për rezultatin e bisedimeve të djeshme midis delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, të zhvilluara në Bruksel, për barrikadat.
Sipas komunikatës, në takimin bilateral me delegacionin e Republikës së Kosovës, përfaqësuesi i BE-së, Fernando Gentilini konfirmoi qëndrimin e BE-së se barrikadat duhet të largohen, të mundësohet liria e lëvizjes dhe të zbatohen në plotëni ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e Zëvendëskryeministrja Tahiri siguron të gjithë qytetarët e Mitrovicës se këto pengesa do të hiqen dhe Ura e Ibrit do të jetë rrugë nacionale, ashtu siç ka qenë gjithnjë, dhe qytetarëve do t’iu mundësohet të lëvizin lirshëm.
“Në takimin tre palësh pas disa orë diskutime, me propozim të BE-së, palët u dakorduan për heqjen e barrikadave dhe revitalizimin e Urës në një proces gradual dhe në mënyrë paralele, proces në të cilin BE-ja do të angazhohet drejtpërdrejt, duke përfshirë edhe asistencën financiare për projekte të cilat synojnë përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, thuhet në komunikatë.
Sipas saj, plani i BE-së, i prezantuar nga përfaqësuesi i BE-së, në Kosovë, Samuel Zhbogar, për të cilin palët u pajtuan, përfshin këto pika:
1.Të respektohen ligjet e shtetit të Kosovës,
2. Të bëhet vlerësimi teknik i qëndrueshmërisë statike e konstruksionit të Urës së Ibrit, dhe
3. Të hartohet projekti për revitalizimin e Urës si dhe të realizohet revitalizimi/restaurimi i Urës së Ibrit.
Gjate muajit shtator 2014, ekspertët e kontraktuar nga BE-ja do te dalin me rezultatet e vlerësimit për të vazhduar pastaj revitalizimin dhe funksionalizimin e plotë të Urës së Ibrit në funksion të lëvizjes së lirë.
Po ashtu palët u dakorduan për vazhdimin e moratoriumit, i cili ndalon çfarëdo punimi për vendosje të barrikadave në atë pjesë, dhe në rast të mos respektimit të këtij moratoriumi institucionet relevante të Republikës së Kosovës do të reagojnë me forcën e ligjit dhe në zbatim të ligjit.
Gjatë këtij takimi, kryetari i Komunës së Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri u angazhua që gjendja në urë të normalizohet sa më shpejt dhe se Komuna do të japë maksimumin për të bashkëpunuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe BE-në për të zbatuar planin e BE-së në të mirën e lëvizjes së lirë dhe në interes të të gjithë qytetarëve, ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore, Goran Rakiq u zotua se do të angazhohet dhe do të bashkëpunojë me qëllim të normalizimit të situatës dhe zbatimit të planit të BE-së duke u pajtuar se ky plan është në interes të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”, thuhet në komunikatë.