Ministri i Drejtësisë, në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri ka pritur në takim kryetarin Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa.
Deklarata e plotë e ministrit Tahiri pas takimit:
Republika e Kosovës dhe institucionet e saj duhet ta kenë një agjendë të mirëfilltë dhe sistematike që adreson çështjet e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës, në mënyrë që komuniteti shqiptar që jeton në atë pjesë, të rigjenerohet edhe në planin socio-ekonomik edhe në atë socio-politik e kulturor.
Për shkak të përbërjes etnike, Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet një ndër rajonet më të diskriminuara në Evropën Juglindore, si pasojë e politikës dezintegruese të Serbisë dhe kjo nuk mund të tolerohet brenda një vendi që aspiron Bashkimin Evropian.
Në takim të përzemërt me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa, ndamë bashkërisht perspektivën për hapat e mëtejmë që duhet t’iu paraprijmë, për të arritur kështu rezultate konkrete dhe një lidhje shumë më të fuqishme në mes institucioneve tona dhe qytetarëve që jetojnë në atë pjesë.
Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit. Ajo ka nevojë për mbështetjen tonë dhe sensibilizimin tonë në rrafshin ndërkombëtar për kufizimet e një pas njëshme që pushteti serb i vendosë ndaj kësaj zone.
Lugina ka nevojë për investime dhe për edukim. Ne e kemi obligim që ndaj kësaj pjese të banuar me shqiptarë, të stimulojmë zhvillimin ekonomik e social dhe kultivimin akoma më të fuqishëm të lidhjeve tona kulturore.
Republika e Kosovës aspiron relacione të shëndosha me vendet fqinje, dhe trajtimi i popullsisë shqiptare brenda këtyre vendeve, është kapitulli më thelbësor që do përcaktojë këto relacione.