Anton Nikë BERISHA
SYTË E HESHTJES
( persiatje poetike )
1
Heshtja është hiri i Hyjit,
ngrohtësi e pashuar dashurie
e ngjeshur me misteret e Tij,
që nëpër qiell e në tokë
përhapet me shkëlqimin e yjeve
të qëndisur me bardhësi resh–
gjakim i ëndrrave të etura;
është joshje që nuk resht,
kërkim i skajeve të thellësive
që të robërojnë me prirje të pafundësisë;
ujëvarë ndriçuese e vrushkujve
ngjizur dhe me penjtë e errësirës:
dallgëzim i vijueshëm i shpirtit –
përshkuar nga drithërima rrëzëllitëse.
2
Heshtja është ndriçimi hyjnor
që të mbështjellë me paanësinë e vet
më të ngrohtë se zjarri flakërues
që degëzohet si shtjellë ere,
dehur nga ngazëllimi, hareja,
ose si vrunduj lifqeresh në stinë shiu
që uji i shumtë ua gjallëron rrjedhën
kur lëshohen me vrull shtratit teposhtë
sa më parë lumin ta mbërrijnë;
është prehja e prushtë brenda teje,
që të ngazëllen me epshin e pashuar,
të bën me krahë, të shndërron në shpend
që kaltërinë e qiellit vijimisht e mësyn
të njësohet me bukurinëqë vret.
3
Heshtja është të folurit pa zë,
pa tingull, pa zhurmë, pa lëvizje,
mbushullimë fjalësh që të flasin
me gjuhën e shenjave, me pamje, me simbole,
që i ndien brenda vetes, në qetësi
kur ta përshkojnë mendjen ose zemrën
e nuk rreshtin edhe kur nuk e hap gojën;
janë fjalë të haréve, të brengave të tua,
që vallëzojnë e harlisen brenda teje
me vrullin e gurrës që bunon nga toka
dhe s’katë ndalur nëpër ndërrime stinësh;
janë shkreptima që të ndrisin ose të errësojnë
me pingërimin e shiut të vjeshtës mjegullore
kur gjethet i blatohen puthjes së vdekjes.
4
Heshtja është fryma e bukurisë,
hir i amëzimit të pafund të etjes,
ngrohtësi e ujëvartë që e mbroth shpirtin
të dallgëzuar nga e liga, nga shëmtia,
kur pikëllimi e mbulon si re e dendur
e mëdyshja i shtrin rrënjët, helmim shllige
hedhur me rrëmbim kur e vëren rrezikun;
është frymësi jetike, mishërim i mistershëm
i të madhërishmes, ngadhënjim mbi kohët,
që kudo ndodhet rrezaton tek ti e unë,
lumë i dashurisë, liqe i përdëllimit,
që e ujit shpirtin e dobësuar, e përtërin –
jetë i jep magjisë së frymësisë.
5
Heshtja është paqja brenda nesh
shkëlqim i çiltër që duhet mbëltuar,
edhe në djepin e shtrëngatës së egër
ose kur deti tundet nga tallaze të trishtë
që stuhia pa mëshirë i përplas
thuajse duan ta përpijnënjëri – tjetrin;
është bardhësia që e mban ndezur
qiriun e prehjes dhe të qetësisë,
të rrahurit e zemrës, njomësinë e shpirtit
për diçka më të vlertë, më njerëzore,
se paqja jonë i takon dhe tjetrit
dhe e ngjall dashurinë e ndërsjellë–
e cila fuqishëm lartësohet e ngadhënjen
mbi të papriturën, mbi çdo ligësi.
6
Heshtja është mbretëri më vete,
një perrí me sqimë, farfuritëse,
e dehur nga qenësia e saj,
nga etja për të qenë gjithkund,
në çdo kohë e në çdo hapësirë:
në fjalët që i mendojmë apo i flasim,
në ëndrrat e ëndërruara dhe ato që do t’i shohim
në gjumin ëmbëlsor që na vjen papandehur
e na i mbyll sytë si erësim lulesh
si puhi e këndshme, krejt skofiare
që krahëtimit të fluturës i përngjan,
buzëqeshjes së foshnjës njomësore
që e ndien ngrohtësinë e ledhatimeve të nënës
ose përjeton gëzimin e dritës në sy.
7
Heshtja është etje e pashuar,
që s’ka të sosur as në zgrip të rrënimit,
po shkon e shtrihet, zmadhohet pareshtur
si valëzime dridhmash në çaste ëndërrimi
të përkundura në djepat e artë –
tis i ninullave ende të pakënduara;
është flijim i brishtë i frymësisë së fjalës
me dhjetëra ngjyrime tingëllimesh pa zë
që si stolitë mendjen botës ia marrin ;
është lumë i degëzuar në pafundësi,
që të pushton me trill, me pandehma
pa bërë as më të voglën psherëtimë
dhe kur rrjedh paksa rrëmbimthi –
dëshmi e durimit të shkëmbtë.
8
Heshtja është thelbi i dashurisë,
vistrak dridhërimash të ngjeshura, të flakta,
që ta përshkojnë trupin si shtiza shigjetash
hedhur me vrull nga harkëtarë të shquar,
që ëmbëlsisht të qëllojnë, të përshkojnë
nëpër mish e ndjenja, në të gjitha anët,
zogj të zjarrtë që i nisin fluturimet
shtigjeve të shpirtit, leheve të zemrës;
është rruga më e shkurtër të mbërrithet te Hyji,
tek i afërmi, te tjetri, te dhimbja e tij
se tjetri i jep kuptim jetës sonë
mbasi dashuria nga dashuria rritet,
siç buthtojnë e rriten bisqet e pemëve
kur rrezet e diellit ngrohtësi u falin.
9
Heshtja është dhunti për njerëzit,
thesar shpirti që dëshmohet me flijime:
t’i dhurosh tjetrit diçka nga vetja jote,
atë që t’është e shtrenjtë, që t’është e dashur,
t’ia vësh zemrën në shuplakën e dorës,
për ta ndjerë rrahjen e zemrës së tij;
ta duash tjetrin, si veten ta çmosh,
ta pranosh me tërë qenien tënde,
ta shmangësh ngasjen, t’i bishtërosh tundimit,
edhe kur vetja të duket se je një hiç,
t’ia falësh dashurinë, gjakimin për jetë,
pa menduar për ndonjë fitim të mundshëm,
si nëna që i dhuron foshnjës së vet
dashurinë pa skaj në çdo rrethanë e kohë.
10
Heshtja është vetja jonë e dytë
e tretë ose herë–herë kushedi e sata
që vorbullon përbrenda nesh
me butësinë e lindjes së agimit
apo të perëndimit të diellit, në mbrëmje,
po dhe si valë deti apo si suvalë
që afrohen e përqafohen me afsh
ose përplasen me njëra – tjetrën
si në shpagim të armiqësive të vjetra;
është vështrimi yt në sytë e tjetrit,
prushësi e dashurisë së pakursyer
që përhapet si puhizë në shpirtin tënd –
vrushkull shkëlqimi ose si reshje krahneze
apo rrymim uji i qetë i anijes në det.
11
Heshtje është vetëpërmbajtja:
t’i matësh fjalët, mendimet t’i peshosh,
ta mbëltosh durimin në secilin veprim,
edhe kur të ndizet e të tundet shpirti
kur të kanoset e keqja ose të pësosh;
thonë se tri parime kryesore të jetës janë:
durimi, durimi dhe durimi;
është vatra ku gjen burimin e fuqisë,
e ngadhënjimit edhe mbi vetveten
edhe kur në ty rëndon pikëllimi,
më i rëndë se pesha e Pashtrikut tonë,
ose vuajtjet palë – palë rriten brenda teje
si shtresat e borës në Bjeshkët e Nemuna
që nuk shkrihen as në vapën e gushtit.
12
Heshtja është puhizë e brishtë,
lot që rrëshqet mollëzave të faqeve
nga dhimbjet ndryrë pa asnjë dry:
labirint i njëmijë hyrjeve dhe i njëmijë daljeve,
që me përkushtim ndërthuren e njësohen
si penjtë në qëndismën e vashës,
ose vetvetiu skërmiten, përplasen
ngatërrohen me furinë e thellimit –
gërshetë shakullinash të stuhisë;
është hijesimi shumësor që futet
në humnerat e shpirtit dhe synon
të fshihet në shtresa të përhumbura
të shpellave të errëta, pa ngrohje drite,
ku qetësia është mbretëreshë e amshuar.
13
Heshtja është dashuri mëmëdheu,
vlim i shpirtit që e shton ngazëllimin,
harenë e jetesës, ritmin e frymëmarrjes;
pa të je si pa gjuhë, pa fjalë:
trung i padegë, pa gjethe e pa rrënjë;
një torzo e mjerë, krejt i papeshë
sikur të ishe një hije e vdekjes;
është frymësi që ta mban drejtpeshimin, të ecurit,
t’i nxitë mendimet, gjykimet e guximshme,
zë i ndërgjegjes së pastër, po dhe regëtimë
e zemrës përplot epshe të ndezura,
frymë e të Parëve, të Parëve të të Parëve të tu,
vargëzim që s’këputet asnjëherë,
edhe kur punët mund të shkojnë rrokopujë.
14
Heshtja është malli, përmallimi –
prania e vazhdueshme e strukur
ndër skutat e errëtatë mendjes,
grishje e prushtë e dashurisë;
është flakërimi që thellë, thellë lëron
nëpër qenien tënde të brishtë;
përcëllon e djeg si eshkë e ndezur
që ndihet si rrëshqitje kërmilli;
është si prekje e ëmbël gjumi:
ujëvarë e pareshtur puthjesh,
që me zjarrin e heshtur flasin
dhe notojnë brenda dejve të tendosur
harlisur nga mendimet, ndjenjat
në pritje të përmbushjes së epshit.
15
Heshtja është lamtumira
e lodhur nga pritja, nga pambarimi
pse çdo fillim është nisma e një fundi
dhe çdo fund është fillimi i një nisme,
i synimit tonë ose i zhgënjimit;
është një virgjëreshë e llastuar
që grish për takime të tjera –
hidhet e përhidhet si zvarranik zemërak
kur e trazojnë pa arsye
në qetësinë e strofkës së vet –
dhe me thimthin helmues kërcënohet
t’i prapësojë me veprim të ankthshëm,
siç vepron e Bukura e Dheut
që i josh dhe i prapëson mëtuesit
vardisurpareshtur, ditë e natë,
deri në përmbushjen e dashurisë.
16
Heshtja është rrjetë ëndërrimesh,
që në pllakosje gjumojnë zgjuar,
ose trazohen si retë para shiut,
si shpendë shtegtarë të ngazëllyer
kur fluturim mësyjnë lartësinë
për t’u njësuar me dritën e yjve,
që s’dinë për kufij, as për drojë
ose kur lëshohen pingul drejt tokës
shpateve të rrëpirët ose shkrepave shekullore;
është urata e gjarprit të uritur
në pritje të kapjes së beftë të presë
kur e sulmon me shpejtësi rrufeje
për të mos dështuar në asnjë mënyrë
i shtyrë nga nevoja për mbijetesë.
17
Heshtje është pikërrimë shiu
që rrëshqet si i zgjuar nga gjumi
dheun e etur ta puthë, ta shkriftojë
dhebimësisë së lodhur për ujë
t’ia kthejë harenë e blerimit;
është rrëké e avullimit të tokës
që ngrihet si vistrak përmallimi
e shtegton derisa të ndeshet
në humbellat e kaltërsisë së qiellit
e pastaj përsëri kthehet
shtegut nga është nisur –
të prehet tek ujësimi i rrënjëve
që gjallëri qëndresës i japin
dhe ngjallin kroin e besimit.
18
Heshtja është guaskë deti e artë
ngjizur në zemrën e koraleve
ku visaret e shpirtit fshihen
si në sy lotët e dashurisë –
hijeshi e cirkës së trëndafiltë,
më e bukur se vetë çelja e luleve
që nxit synimet, përdëllimet,
ose shndërrohet në trazim të brendshëm:
zgjim i hullive të dhimbjeve, vuajtjeve
përplasur nëpër ngushtica të damarëve,
ku mund të bimësohet pikëllimi i pa zë
që e bluan mishin, eshtrat i gërryen
me ngulmim të krymbit të uritur
në fronin e Mbretërisë së nëntokës.
19
Heshtja është lumë mendimesh,
që vorbullon brenda secilit
si përzierje tallazesh zemërakë
të detit tundur nga stuhi shfrenuese
ose si rrymime krejtësisht të prajshme
që mbesin pas barkës si pëshpëritje
të peshkatarit në shtëpi kur kthehet
me peshk të zënë e me hare në zemër;
është degëzimi i dritësimit
që ngjet edhe brenda errësirës,
i mbëlton hiret, virtytet i mbroth
me butësinë hirplote të lindjes së vesës
kur njomësohet në syrin e agimit
nga qielli i qëndisur me paanësi të yjeve.
20
Heshtja është det dhimbjesh
shtresuar nëpër stinë dhe mote,
që ngrihen e zbresin plima – plima,
me durimin lashtësor të udhëtimit,
dhe nuk zhbëhen asnjëherë –
si zhurim i mbishtresuar shkretëtire,
që sa më shumë synon t’i shmangësh,
aq më tepër të ngjizet si rriqër;
është plim hejesh akulli majëmprehtë
që të ngulenme pahir në zemër,
kur pikëllimi gërryen si kandërr e trembur
ose shtresohet si lëmashk i të papriturave:
kujtim i egërsimit të detit kur
nuk kursen asgjë që është në të,
as njerëzit n’anije ndërsa u falen ëndërrimeve.
21
Heshtja është krymbi i dyshimit
që të vë në peshojën e ndërgjegjes:
të mbesësh ai që je e duhet të jesh
apo të luash hijen e vetes sate;
të fundosesh në rrjetën e mëdyshjeve
që i japin jetë plimit të vegimeve,
ose të notosh në konkretësinë e gjallimit,
të dashurosh dhe të jesh i dashuruar:
dhe në driza të vëresh lulëzimin e stinës
ose ëndrrën vrik ta këmbesh me zhgjëndrrën,
ndërsa dielli mbytet në mjegullnajë të pafund,
bëhet akull i nxehtë ose borë e përvëluar ,
si tenjë që velin e nuses të ruajtur në arkë
me zell të pashuar e bren pa reshtur.
22
Heshtja është veprimi hamletian,
shushunjë që nuk shkoqet nga lëkura, nga mishi,
hije bredharake që nuk resht së tunduari:
kapton në të gjitha anët dhe mat e çmat
imtësitë e mendimit, peshën e secilit veprim;
të jesh ose të mos jesh, këtu gjuha prek dhëmbin,
heshtje nate ose zhurmë e lumit vërshues,
si përndezje lamtumirëse e vonuar –
vrer i pistë i skëterrës së pritjes;
është besnikëria e Horatit , dëshmi e miqësisë,
e virtytit që lëkund tokën si shkundullima,
ose si rrungajë e madhe rrokullisur bjeshkës
se besnikëria i jep gjallëri jetës, e lartëson
deri në skajet e qiellit dhe më përtej.
23
Heshtjaështë qenësie gjallimit,
ngjizur indeve, ngërthyer qelizave,
është nderi, që duhet ta mbrosh përherë;
as në ëndërr nuk duhet të pish
ujin e turpit që e nxit shprishjen, shembjen;
është vatra e pastër e burrërisë
që si sytë e ballit duhet ruajtur
si e ruan nëna foshnjën në gji;
ose ujkonja këlyshët e posa lindur;
hirësi përndriçuese, mirësi joshëse
ndaj vetes dhe përballë tjetrit,
ku pesha e fisnikërisë matet:
i frenon epshet, veseve ua ndal turrin,
kur i dëmtojnë rrënjët dhe zemrën e trungut.
24
Heshtja është gojë e ligësisë,
zgafellë që fundi nuk i dihet,
si dita e ngrohtë që e rrit nepërkën
ku pa reshtur e bren krymbi i mashtrimit
e smira vallëzon me lëvizje gaforreje
që ecën përpara, anash, ecën prapa
dhe kërcënon me kthetrat e vdekjes –
pa u ngopur për atë që synon;
është strofka e joshjes ose e sëkëlldisjes,
ku zjarr merr përbuzja, urrejtja
që ngre krye si urith shpërfillës
apo si merimangë e uritur, tinëzare
që i zgjeron rrjetat në çdo vend e skutë
për të kapur prenë që i mban jetën.
25
Heshtja është kur të lidhet gjuha:
çele gur gojën – për ta ruajtur fshehtësinë
më të errët se nata, më të rëndë se orteku,
që në rrokullisje mbledh brenda vetes
borën e shtresuar me javë e muaj
dhe përpin çka do që i del përpara
pa u lodhur për dëme, për pasoja;
është ngrehje e kurtheve, e pusive,
që ngjyrën dhe stinëve ua marrin:
sipas motit e kthejnë gëzofin
ose sipas vendit kuvendin e bëjnë,
pa çarë kokën për nderin, për ndërgjegjen
dhe dy gisht fytyrë u bëhet fushë e pa skaj,
ku dhe djalli i dehur zellshëm do t’vallëzojë.
26
Heshtja është dëshpërimi shurdhmemec,
që të ngjizet pa dashur për shpirt
e të shoqëron si ushunjëz e pangopur,
tundim i vagëlluar që shtrihet pa zëshëm
nxitur nga brendësia ose joshur nga jashtë;
është formë e shtjellës më se tinzake
pse në fillim niset qetas – qetas,
po sa shkon e mbufatet, rritet
me turr fare të papërmbajtur
që vetë flakësimit i përngjan –
përhapet vrullshëm në të gjitha anët
lart – poshtë të gërryen, të rrënon
si besimi që e mbyt urtësinë
sikur lubi të hidhura të kish brenda.
27
Heshtja është foshnja e njomë,
aty ku buzëqeshja rrënjët i ka,
kolovajzë e etjes, e gëzimit
që bën t’i harrosh trazimet, brengat –
të lumnon aq sa të mos jesh tepër i lumtur ,
ose të pikëllon më shumë se pikëllimi
e të ngrin si reshje e ngadaltë e borës
që bukuri i jep dhe vetë natyrës;
është këngë e zogjve në fluturimin dehës
që e zgjon agimin e përgjumur
sylëbyrur nga vrushkujt e territ
ngjashëm me rrëkenë e kujtimeve
që si shpurë besnike të përcjellë
deri në sosje të frymëmarrjes, jetës.
28
Heshtje është e kaluara që grish me zëra të lashtë
të prehur, të dremitur, si paqenësia,
thadruar në mendje, në thellësi të shpirtit;
rrëfime që flasin me jehonën e shekujve,
të ngjarjeve, të flijimeve që as mendja nuk t’i merr,
të rrënimeve që fjalët nuk mund t’i shprehin,
të ruajtura përmes kujtimesh, shenjash,
shkrimesh në rrasa guri, në pergamena,
ose, më vonë, në libra dhe në pllaka metali,
për madhështi t’njeriut e për luftëra t’përgjakshme,
për pasojat që e kanë tronditur tokën, qiellin
që të shpojnë në ndërgjegje, të zhbëjnë
ose të japin kurajë të mësosh nga pësimet
e të ecësh më tej e jetën ta gëzosh.
29
Heshtja është shtresim drite e pafund
që vallëzon e rrjedh brenda nesh
me shkëlqim yjesh, me ngrohtësi dielli
kur lehtas ledhaton ose e puthzon
gjelbërimin e ngjallur në syrin e stinës
që përhapet vijueshëm si vel i bukurisë,
si vistrak lumturie, lule erëmirë
apo ëndërrim i pafund, foshnjarake,
që të shndrit me zjarrin e epshit
ose të akullson me cegmin dimëror;
vorbullon me vrull në mua, në ty;
është kundërvënia e stivës së territ
të blatuar nga pabesia e natës
shikimin ta shuajë, vetë dritën,
prushin që shpresën e gjallimit ta shton.
30
Heshtja është udhëtimi i pandërprerë,
vajtje – ardhje e qartë, e pafund
brishtësi në shpirtin dritëmbajtës
puthje e ëmbël, përqafim i ngrohtë
nisur drejt pafundësisë së qiellit,
ose kredhje mu në zemrën e dheut –
ecje udhëve që shkojnë e nuk kthejnë
kërkim i shtigjeve të lumenjve nëntokësorë,
që s’dinë për lodhje e s’kanë nevojë për dritë;
është etja për njohje të vetvetes e të tjetrit
të mirësisë që ke e të asaj që duhet të kesh
si dritën që na ndriçon rrugën përpara
kur udhëtojmë pa pasur asnjë frikë
si varkëtari që përballon detin e trazuar.
31
Heshtja është shkretëtira e pafund,
durim i mallit për ujë, grishje e gremisur
që e thërrmon shkëmbin mbijetuar nëpër kohë,
ia përzjarr indet, qenësinë ua zhbën;
është avullimi flakërues i rërës
ngritur porsi re pluhuri e dendur
që t’i përvëlon fjalët, mendimet t’i shprish
dhe gjithçka e shndërron në shkretëtirë –
kudo që ndalet ku frymon jeta,
kur sythojnë gemat si buzëqeshje fëmije
në gjirin e nënës mbështjellë me ngrohtësi;
është puthja e buzëve kur i përthan era
si vapa përcëlluese kur shegën e hap
në degë të pemës ende pa rënë në tokë.
32
Heshtja është loti i pikëllimit të lodhur
përtërirë në lëngësimin e bebëzave –
njelmësi e ngjizur hullive të shpirtit
që rrjedh faqes sate me pahir
e vazhdon dhe në faqen e tjetrit –
psherëtimë e këngës së vetmisë
që shtillet pareshtur nëpër qenien tënde
si shi i muzgët mbërthyer nga terri;
është ushtimë e pazëshme e dhimbjes
që zien brenda me furi shkreptime
apo të bubullimës së mugët, gurrë
e plagëve të hapura nëpër ndërrime vitesh,
ose kjasim i gëzimit, tharm i dashurisë
që mund ta pushtojë gjithë rruzullimin.
33
Heshtja është vdekja – drithërimë e beftë
hije gurëzuese që lehtas të përshkon,
tinëzisht të ngulitet, të mbërthen,
ta shuan ndjesimin, mendjen ta shprishë,
shikimin ta errëson, t’i shtangë gjymtyrët,
buzëqeshjen ta zhbën, ta ndal frymën
si me shpatë dytehëshe t’kalorësit të paepur;
është kafshim i egër, mbytur në zemërim,
rrjetë e mynxyrtë, gjyq i fundit i ndërgjegjes,
ballafaqim i ashpër me ligësitë e tua –
bindja se jeta nuk është asgjë tjetër
veç një kalesë e shkurtër, një ëndërrim,
që duket që nuk zgjat më shumë se
një fluturim zogu prej degës në degë.