(2LONLINE) – Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë kishin rrugëtuar në këmbë, për më se 18 ditë me radhë, në relacionin Gjilan – Vlorë, për të përçuar kështu mesazhin e unitetit mbarëshqiptarë, e tani synojnë në këmbë Brukselin. Është ky Grupi nga Gjilani që tani më kanë marrë emrin “Shtegtarët e Lirisë”, e të cilët synojnë në këmbë të rrugëtojnë nga Gjilani në Bruksel , një udhëtim që pritet të zgjasë 78 ditë si simbolikë e numrit të ditëve sa kanë zgjatur bombardimet e NATO-s.
Ekrem Avdija udhëheqës i Grupi ka bërë me dije për Portalin 2L Online, se ky rrugëtim në këmbë “Gjilan-Bruksel”, nën moton “5 Milion Hapa për 1 Hap “ mëton të realizohet me porosinë për një lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës kudo në Evropë.
Përndryshe, Grupi pritet të përbëhet nga pesë shtegtarë që do të ecin në këmbë të prirë nga Ekrem Avdija si dhe Jahi Mustafa, Nazim Hajdini Gani Shaqiri, por pritet të jetë edhe një qytetar tjetër.
Sipas Avdisë , itinerari i shtegtarëve do të jetë Gjilan, Prishtinë. Pejë. mandej për të kaluar në Mali të Zi, Kroaci, Slloveni. Austri, Gjermani e Belgjikë, që mendohet se do të jetë një rrugë e gjatë gjithsej 2557.9 km.
“Misioni ynë është lobimi për një lëvizje të lirë dhe pa regjim të vizave për kosovarët ku do bëhen 5 Milion hapa për 1 Hap , një simbolikë që besojmë të jetë domethënës për vendin tonë”, ka thënë Avdija.
Ai tha se qëllimi tjetër është edhe të përçuarit e mesazhit për paqe dhe bashkim mes popujve e të gjitha shteteve kah do të rrugëtohet.
Mirëpo për të realizuar këtë udhëtim “Grupi i Gjilanit’ , thotë të kenë nevojë për përkrahje si morale ashtu edhe financiare
Gani Shaqiri, njëri nga shtegtarët ka thënë per 2L Online, se për momentin krejt kjo është projekt ideor. Qëllimi është që të përçojmë mesazhin se edhe Kosova është Evropë. Nëse çdo gjë shkon mbarë pritet që ky udhëtim , të nis me 30 prill”, ka thënë ai.
Shaqiri thotë se për tu jetësuar kjo iniciativë duhet gjithsesi në rend të parë përkrahja institucionale si ndihma nga Ministria e Punëve të Jashtme, që duhet të i qel rrugë kësaj iniciative për shkak të dokumentacionit, por çështje tjetër që mund të jenë pengesë natyrisht që do të jenë edhe çështja e sigurimit të financave.
Por, se, Grupi nga Gjilani shpreson se do të gjejnë përkrahje dhe rrugëtimi në këmbë Gjilan – Bruksel do të realizohet. /2lonline/