Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sërish nuk e votuan Ligjin për Sponzorizim në Sport. Kjo ka bërë që udhëheqës të klubeve kosovare, trajnerë, njohës të sportit e sportdashës të reagojnë për mosvotimin e Ligjit të rëndësishëm për klubet dhe sportistët.
Ish-gazetari sportiv, Fehmi Sylejmani, mosvotimin e këtij Ligji, e ka konsideruar të pamatur, të paarsyeshëm dhe mos reflektim të Kuvendit, repektivisht deputetëve, sidomos në një moment të mbarë për sportin kosovar në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, është pikërisht “sporti ai që që i bashkon individët e jo që i ndanë”, prandaj duhet të përkrahet në mënyrë profesionale dhe institucionale.
“Mos votimi i ligjit për Sponsorizim nga delegatët e Kuvendit të Kosovës është i pajustifikueshëm, i paarsyeshëm, e pamatur dhe tejet dëshirues, pikërisht në momentet e një fillimi të mbarë të sportit kosovar në përgjithësi e veçmas në arenën ndërkombëtare. Nuk përkrahet sporti me demagogji, frazeologji, amatorizëm, anshmëri, fotografi e me vrapime direkt në ndeshje si VIP-ja, Sporti përkrahet në mënyrë profesionalë dhe institucionale, duke i studiuar, analizuar, shqyrtuar, debatuar dhe në fund duke votuar secilin amendament në mënyrën më të mirë të mundshme dhe mundësisht sa më të përsosur. Sporti njihet si disiplinë shoqërore që i bashkon individët e jo që i ndanë”, ka thënë Sylejmani.
Njohësi i sportit, Fehmi Sylejmani, nuk e ka justifikuar aspak mungesën e deputetëve që rezultoi me mungesë kuorumi, i cili do të duhej ta votonte këtë Ligj.
“Mos pjesëmarrja në këtë seancë e disa deputetëve, pa ndonjë arsye dhe pa kurrfarë serioziteti si kundër mos vullneti i mazhorancës për të siguruar kuorumin e nevojshëm për ta votuar këtë amendament, nuk justifikohet me asgjë dhe s’do mend se e ka zhgënjyer tepër shumë komunitetin sportive në vend”, perfundoi Fehmi Sylejmani.